
Moratoriumi që vrau detin dhe ndëshkimi që vjen vetëm pas tragjedive
Dritare.net
Për vite me radhë, Shqipëria kishte një moratorium në përdorimin e mjeteve lundruese, një vendim që synonte të ndalonte incidentet dhe të kthente qetësinë në det. Por sot, ekspertët dhe operatorët detarë flasin hapur: ky moratorium nuk solli edukim, por vetëm një ndërprerje formale që u shpërdorua dhe nuk shërbeu për të ndërtuar kulturën e sigurisë.
“Moratoriumi i gjatë e ktheu detin në një hapësirë të heshtur, por nuk i mësoi njerëzit se si ta përdorin atë. Nuk pati trajnime, nuk pati fushata sensibilizuese, nuk pati sistem sinjalistik,” thotë Artion Vreto, drejtues i Sky Sports në Green Coast. “Dhe sot, kur moratoriumi ka rënë, kemi një bum të mjeteve të reja në duart e njerëzve që nuk njohin rregullat.”
Por problemi nuk është vetëm mungesa e edukimit është edhe mënyra si reagon shteti: ndëshkon vetëm kur ndodh diçka e rëndë. Tragjeditë, fatkeqësisht, janë kthyer në momentin kur zgjohen institucionet. Deri atëherë, mungojnë kontrollet, mungon përgjegjësia dhe mungon zbatimi i ligjit.
“Nuk mund të reagojmë vetëm kur dikush humbet jetën,” thekson Vreto. “Në det, si në rrugë, duhet rregulla të paracaktuara, tabela, sinjalistikë, dhe një sistem i qartë përgjegjësish. Pa to, jemi në një terr informativ, ku çdo kush bën çfarë të dojë, dhe kur ndodh tragjedia, kërkojmë fajtorin e radhës.”
Çfarë duhet të ndodhë tani?
• Duhet një rregullore kombëtare për lëvizjen në det, e zbatueshme për të gjithë operatorët turistikë dhe përdoruesit privatë.
• Duhet një fushatë kombëtare edukimi për sigurinë në det, nga Veriu në Jug.
• Duhet një bashkëpunim institucional i vazhdueshëm, jo vetëm në ditë zije.
• Duhet kontroll sistematik dhe ndëshkim proporcional, jo vetëm pas viktimave.
Deti është një pasuri e çmuar për turizmin dhe për Shqipërinë, por pa rregulla, është gjithashtu një rrezik. Vendi nuk mund të funksionojë me ndëshkime që vijnë vetëm “kur bëhet nami”. Siguria duhet të jetë pjesë e përditshmërisë, jo vetëm e lajmeve të zeza./ dritare.net

















