Musabelliu: Ja dosjet sensitive që kam shqyrtuar!
Dritare.net

Kandidatja për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Doloreza Musabelliu, prezantoi para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) një pjesë të eksperiencës së saj në çështje të ndjeshme gjatë karrierës së saj si prokurore.
Musabelliu rikujtoi se që nga viti 2004 ka qenë e angazhuar në hetime për trafikun e narkotikëve, duke përfshirë një çështje të vitit 2005 dhe një tjetër të vitit 2015, ku për herë të parë u evidentua trafiku ajror i lëndëve narkotike. Në këtë rast, u dërguan për gjykim shtatë persona dhe një oficer policie gjyqësore, të cilët u dënuan me vendim të formës së prerë. Ajo theksoi se këto hetime ndërkombëtare kanë forcuar aftësinë e saj për të menaxhuar çështje komplekse dhe për të arritur rezultate konkrete.
“Këto hetime kanë qenë pjesë e një prioriteti global në luftën kundër trafikut të drogës dhe më kanë mundësuar të aplikoj qasje të avancuara hetimore që në nisje të karrierës time,” tha Musabelliu.
Ajo gjithashtu prezantoi përvojën e saj në hetimin e rasteve të vrasjeve, duke përfshirë motive familjare, hakmarrje, rrethana të veçanta të viktimës dhe vrasje ndaj funksionarëve të forcave të drejtësisë. Pas ndryshimeve ligjore të vitit 2014, Musabelliu u përqendrua në hetimin e çështjeve të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë, duke theksuar se asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin. /dritare.net