Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta Servet Pëllumbi

Ndahet nga jeta Servet Pëllumbi

Është ndarë nga jeta Servet Pëllumbi, një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare të periudhës së tranzicionit dhe një emër i rëndësishëm i botës akademike.

Pëllumbi është një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe ish-kryetar i Kuvendit. Ai është konsideruar një nga figurat më me integritet që pas viteve ’90.

Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve 90, ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. I ndjeri ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi.

Nga viti 1960 – 1963, ai ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Që nga ky vit, politikani është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës, teksa për gati tre vite ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.

Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996.

Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare./K.C/dritare.net