Rama reagon pas raportit të “Reporterë pa kufij”: Vlerësimi për Shqipërinë, i diskutueshëm
Dritare.net

Shqipëria ka rënë në vendin e 83-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2026 të Reporterët pa Kufij, nga vendi i 80-të një vit më parë, duke reflektuar një situatë ende të brishtë për median. Raporti thekson se liria e shtypit ndikohet nga lidhjet mes politikës dhe biznesit, përqendrimi i pronësisë së mediave, presionet ndaj gazetarëve dhe mungesat në kuadrin ligjor, ndërsa autocensura dhe pasiguria, sidomos nga krimi i organizuar, mbeten shqetësime të vazhdueshme.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj raportit të “Reporterë Pa Kufij”. ë një postim në rrjetin social X, Rama ka vënë në pikëpyetje vlerësimin e organizatës, duke sugjeruar që ajo të mbështetet më shumë në analiza profesionale dhe objektive nga institucione të tjera që monitorojnë komunikimin e qeverisë.
Në reagimin e tij, Rama mbron gjithashtu rolin e Agjencisë për Media dhe Informim, duke u shprehur se krijimi i saj ka qenë një hap pozitiv në funksion të lirisë së informimit në vend.
Unë kurrë nuk kam thënë që ju matni komunikimin e qeverisë, por tani që e përmendët, thjesht po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që ju të lexoni raportet e atyre që realisht e bëjnë këtë, dhe e bëjnë në mënyrë profesionale dhe objektive? Mund t’ju ndihmojë, sepse dalin në pah kundërshti të rëndësishme midis vlerësimeve tuaja dhe të tyre kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga sa keni pretenduar dikur, madje më shumë se një herë, Agjencia për Media dhe Informim duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informimit. Kaq”, shkruan Rama./K.C/dritare.net