Gjykata e Lartë vendim unanim: Paraburgimi vetëm me prova, jo automatik
Dritare.net

Gjykata e Lartë ka rishikuar praktikën për masën “arrest në burg”, duke vendosur standarde më të qarta për gjykatat. Ajo thekson se çdo vendim duhet të jetë i arsyetuar në mënyrë konkrete dhe individuale, duke analizuar rrethanat specifike të çështjes dhe të personit.
Arresti me burg konsiderohet masë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat më të lehta (si arresti shtëpiak apo detyrime të tjera) nuk janë të mjaftueshme. Për këtë arsye, gjykatat kanë detyrim të shqyrtojnë realisht alternativat dhe të shpjegojnë pse ato nuk funksionojnë në rastin konkret.
Gjykata thekson gjithashtu se rrezikshmëria e të pandehurit nuk mund të nxirret vetëm nga natyra e veprës penale apo dënimi i parashikuar, por duhet të bazohet në një vlerësim të plotë të sjelljes, rrethanave dhe të dhënave personale të tij.
Një tjetër pikë kyçe është se barra për të provuar nevojën e arrestit me burg i takon prokurorisë, ndërsa gjykata duhet ta verifikojë këtë në çdo fazë. I pandehuri nuk ka detyrim të sjellë prova për të kundërtën.
Ky vendim synon të kufizojë përdorimin e tepërt të paraburgimit në Shqipëri dhe të forcojë mbrojtjen e lirisë personale, duke e bërë procesin më të drejtë dhe në përputhje me standardet europiane./K.C/dritare.net