Rreth 500 fëmijë pjesë e Konkursit Mbarëkombëtar të Pikturës, shpallen fituesit e edicionit të dytë
Dritare.net
Edicioni i dytë i Konkursit Mbarëkombëtar të Piktorëve të Vegjël është mbyllur me sukses, duke shënuar një pjesëmarrje të gjerë dhe një nivel të lartë kreativiteti nga artistët e rinj. Aktiviteti i organizuar nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë mblodhi rreth 500 fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pas përzgjedhjes nga juria, 60 punime finaliste u ekspozuan në sheshin përpara Teatri i Kukullave, në një ekspozitë që tërhoqi qindra vizitorë vendas dhe të huaj. Ekspozita solli në vëmendje talentin dhe imagjinatën e fëmijëve, duke e kthyer hapësirën në një galeri të hapur arti.
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë 11 çmime për tre kategori moshash. Në grupmoshën 6–9 vjeç, vendin e parë e fitoi Hana Leka nga Tirana, e ndjekur nga Asel Koçi dhe Alan Mbriçe. Në kategorinë 10–12 vjeç, çmimin e parë e mori Rei Shkëmbi, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Amel Himaj dhe Hana Dërmishi. Në grupmoshën 13–15 vjeç, fituese u shpall Keila Ktona, ndërsa Yljana Çujaj nga Shkodra dhe Ajla Çela nga Tirana zunë respektivisht vendin e dytë dhe të tretë.
Gjithashtu u ndanë edhe çmime speciale, ku u vlerësuan Roan Myftaraj nga Vlora dhe Bora Qamili nga Tetova.
Ky aktivitet u zhvillua me mbështetjen e Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve dhe me kontributin e qendrave kulturore për fëmijë në rrethe, të cilat mundësuan pjesëmarrjen e gjerë të fëmijëve në këtë konkurs. Aktiviteti konfirmoi edhe një herë rëndësinë e promovimit të artit dhe kreativitetit te brezat e rinj./L.F-dritare.net