SHBA godet shtatë mjete iraniane. Rriten tensionet në Ngushticën e Hormuzit
Dritare.net

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se forcat amerikane kanë goditur shtatë mjete të vogla detare iraniane, në kuadër të operacioneve për hapjen dhe sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Në një deklaratë të shkurtër, Trump tha se Irani ka ndërmarrë sulme edhe ndaj anijeve të vendeve të tjera, duke përmendur një mjet detar të Koresë sëJugut si një nga objektivat.
Presidenti amerikan u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë të rrisin angazhimin në rajon, duke theksuar se është koha që vendet e tjera të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e tregtisë detare.
“Ndoshta është koha që Koreja e Jugut t’i bashkohet misionit,” deklaroi ai.
Situata është përshkallëzuar më tej në rajon. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se po mbrohen nga sulme me raketa dhe dronë që dyshohet se vijnë nga Irani, ndërsa Teherani thotë se nuk kishin për synim të godisnin Emiratet. Sipas zyrtarëve, një sulm me dron ka shkaktuar një zjarr të madh në një port nafte në Fujairah, duke rritur shqetësimet për destabilizim në rajon dhe ndikim në tregjet globale të energjisë.
Trump shtoi se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, do të mbajnë një konferencë për shtyp nesër në mëngjes për të dhënë më shumë detaje mbi zhvillimet./K.C/dritare.net