Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ne e rrëzuam bustin e Enverit, por nuk pritëm dot ndryshimin!

Ne e rrëzuam bustin e Enverit, por nuk pritëm dot ndryshimin!

Sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv do ju tregojmë historinë e Ferdinand Dukës, inxhinierit që la Shqipërinë në vitin 1990, për t’u zhvendosur në Greqi dhe më pas në Kanada. Ferdinandi u largua nga Shqipëria direkt pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, për shkak të pasigurive dhe frika që u ngjall asokohe. Përpara ndryshimit, thotë Ferdinandi, isha një djalë bulevardi, ndërsa kur u ndryshua sistemi më iku besimi se në Shqipëri do të ndodhte mrekullia dhe ika jashtë. Ndonëse para 30 vjetësh la Shqipërinë për Kanadanë, sot ai po bëhet gati që të lërë gjithçka që ngriti në Toronto për t’u kthyer në Atdhe.


“Unë kam lindur në Durrës, por në moshë shumë të vogël kam ardhur në Tiranë. Me profesion jam inxhinier i pasurimit të mineraleve. Unë kam punuar në Valias, në fabrikën e pasurimit të qymyrit, rreth dy vjet. Pastaj erdhi ’90 dhe gjithçka u shkatërrua. Unë nuk mendoj se u ndoq një politikë e saktë jo vetëm me fabrikat e pasurimit, që kurrsesi nuk duhet të ishin mbyllur. Unë u largova direkt pas hedhjes së bustit të Enver Hoxhës. Atë ditë kishim frikë dhe pasiguri.

Përpara ndryshimit isha një djalë bulevardi, bënim një jetë mesatare për atë kohë, ndoshta diçka më lart. Kur ndodhi ndryshimi i sistemit nuk kisha besim që këtu do të ndodhte mrekullia. Madje kishim dëgjuar që mund të kishte një luftë civile dhe kjo ishte arsye që u larguam. Unë në fillim shkova në Greqi me vizë, u ktheva për shumë pak kohë këtu, pastaj u larguam përfundimisht në Kanada. Evropa në përgjithësi ka atë lirshmërinë e jetesës, por jo të perspektivës. Kurse në Amerikë, një djalë i ri që ka edhe dijen e rrugës edhe të librit, i ka të gjitha mundësitë të shkojë deri në majë. Kur shkova në Toronto nuk punova ne profesionin tim, por për disa kohë në aeroport, si security. Pasi u largova nga kjo punë, nisa punën si magazinier, në një firmë turke që bënte tregti peshqirësh. Kështu kam vazhduar gjithë këto vjet. Unë kam dy fëmijë. Djali studioi në Universitetin e Torontos. Aplikoi për mjekësi, mbaroi shkollën dhe tani është në Nju-Jork për specializim për doktor. Ndërsa vajza mbaroi fakultetin e ekonomikut dhe sot punon në një nga bankat e rëndësishme të Torontos. Ndërsa bashkëshortja ime e cila në Shqipëri kishte të njëjtin profesion si mua, inxhiniere për pasurimin e minierave, u shkollua në Toronto dhe që nga 2006-ta punon asistente dentare.”, tha zoti Duka në DritareTv./K.C/dritare.net