Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kompania lobuese letër DASH: Berisha nuk është më aktiv në politikë. Hiqni statusin non grata

Kompania lobuese letër DASH: Berisha nuk është më aktiv

Kompania lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 11 Majit, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit heqjen e “non gratës” për kreun e PD-së, Sali Berisha.

Në një dokument prej 23 faqesh, thuhet që në hyrje të tij se përcaktimi i Berishës si person ‘non grata’ dëmtoi politikën e jashme amerikane.

Continental Strategy vijon më tej argumentet e saj duke thënë se heqja e këtij përcaktimi për liderin e opozitës duhet bërë edhe për faktin se Berisha tani nuk është më një politikan aktiv.

“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”, thuhet në materialin e hartuar nga kompania lobuese amerikane.

Ndërsa Berisha është kryetar i PD-së dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë që do të dorëhiqet pas humbjes se zgjedhjeve, lobistët e paguar prej tij në SHBA thonë se ai nuk është më figure aktive politike.

Berisha del rregullisht përditë në konferenca shtypi si kryetar i opozitës dhe e përfaqëson këtë të fundit në aktivitetet e Partive Popullore Europiane, por për kompaninë që ka përfituar një kontratë prej 6 milionë $ nga PD-ja, nuk e bëjnë atë një politikan aktiv.

Continental Strategy është një kompani amerikane konsulence dhe lobimi që ka lidhje të ngushta me figura nga rrjeti politik i Partisë Republikane dhe ekipi i Donald Trump. Për Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD), marrëdhënia zyrtare me këtë firmë konsiston në një kontratë lobimi afatgjatë, me vlerë deri në 6 milionë dollarë, dhe shërbime të strategjisë politike për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar dhe për të lobuar në Uashington në favor të PD-së./tch