
PPE miratoi rezolutën e PD-së. Reagon Rama
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Partisë Demokratike nga Partitë Popullore Evropiane. Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama shkruan se kjo rezulutë i paraprin alibisë së Partisë Demokratike në rast se humbasin më 11 maj.
“Alibia e humbjes paska filluar në gjirin e PPE, ku salla bosh e partive simotra paska votuar unanimisht fletë-rrufenë e Kënetës Madhështore për humbjen e lirisë së zgjedhjeve. Një tekst kua-kua-kuash që tregon se iluzioni i ëmbël i Latif magjistarit, po ia le vendin ndjesisë së hidhur të humbjes madhështore të 11 majit”-thuhet në reagimin e Ramës.
Në rezolutën e PD-së thuhet se partitë e djathta shprehin shqetësimin për situatën politike në prag të zgjedhjeve që lidhet me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës dhe shkeljen e fshehtësisë. Po ashtu, në rezolutë thuhet se PPE është e shqetësuar për mungesën e vazhdueshme të progresit në zbatimin e rekomandimeve kyçe të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.
Rezoluta i bën thirrje BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës që të kërkojnë ndërprerjen e blerjes së votës dhe abuzimit me fondet publike; Dërgojnë vëzhgues shtesë në bashkitë me risk të lartë; Dokumentojnë publikisht dhe të denoncojnë shkeljet zgjedhore.; Zbatojnë mekanizma kushtëzues në procesin e integrimit në BE në rast se shkeljet vazhdojnë./K.C/dritare.net

















