Pranvera Duka rrëfen dhimbjen e dyfishtë: Humbjen e Arben Dukës dhe djalit të tyre
Dritare.net

Për herë të parë në një rrëfim të hapur, në Podcast me Mikele Kallanxhi në Dritare TV, Pranvera Duka ka ndarë dhimbjen e madhe që përjetoi pas humbjes së bashkëshortit të saj, poetit të njohur Arben Duka, dhe tragjedisë që pasoi vetëm pak javë më vonë me ndarjen nga jeta të djalit të tyre, Denisit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo e përshkruan humbjen e të birit si një goditje të papritur dhe shkatërruese, në një kohë kur familja ende nuk kishte kaluar dhimbjen e ndarjes nga poeti.
“Kjo ishte rrufe në qiell të hapur… nuk e përballoi dot. E ndoqi gjithë ceremoninë e varrimit nga telefoni dhe nuk e përballoi dot,” rrëfen Pranvera Duka.
Sipas saj, Denisi ishte thellësisht i lidhur me të atin dhe gjendja e rënduar emocionale pas vdekjes së Arben Duka ndikoi drejtpërdrejt në shëndetin e tij. Ai ndërroi jetë si pasojë e një infarkti akut, vetëm 50 ditë pas humbjes së babait.
Ajo kujton momentet e fundit dhe shqetësimin e familjes për gjendjen e tij psikologjike:
“Më thoshin të gjithë: ‘Hajde se djali nuk është mirë’… por unë nuk kisha bërë ende të 40-at e Benit. Thosha do t’i kalojë. Atak akut, thanë mjekët… gjëja e parë që pyetën ishte nëse kishte kaluar ndonjë tronditje. Ai e kishte ndjekur gjithë ceremoninë e varrimit nga telefoni… nuk e përballoi dot. Ajo ditë… nuk dua ta kujtoj. Nuk doja të gdhinte mëngjesi. Më dukej sikur isha në ëndërr.”
Në rrëfimin e saj, Pranvera Duka kujton edhe dashurinë dhe përkushtimin e madh të poetit për familjen, veçanërisht për fëmijët e tij, për të cilët kishte bërë sakrifica të mëdha, duke i mbështetur në arsimimin dhe jetën e tyre jashtë vendit.
Pavarësisht dhimbjes së thellë, ajo shprehet krenare për jetën dhe trashëgiminë e bashkëshortit të saj, duke theksuar se figura e Arben Duka mbetet e gjallë në kujtesën dhe kulturën shqiptare.