Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Prezantohet libri “Lidership” i Henry Kissinger, një prej mendjeve më të mprehta të politikës botërore mbi artin e udhëheqjes

Prezantohet libri “Lidership” i Henry Kissinger, një prej

Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri iu dedikua sot prezantimit të librit “Lidershipit”, me autor Henry Kissinger, që vjen në shqip përmes një botimi të veçantë, ku përmes gjashtë rrëfimesh spektakolare mbi gjashtë udhëheqës botërorë, mund të admirohet gjenialiteti i një prej mendjeve më të mprehta të politikës botërore mbi artin e udhëheqjes.

Kryeminisri Rama në përgjigje të ftesës së shtëpisë botuese “MediaUnion” shkruajti parathënien e librit në fjalë dhe ndau opinionet e tij, teksa moderoi diskutimin e një paneli të ftuarish me gazetarë, analistë e studiues, mes të cilëve emra të spikatur të politikës europiane, si ish Kryeministri italian, Massimo D’alema.

“Kjo është një mbrëmje shumë e veçantë besoj, jo vetëm për një arsye, por më shumë se një arsye dhe kryesorja është mundësia që na ka dhënë shtëpia botuese “MediaUnion” me përkthimin në shqip të një libri të jashtëzakonshëm, të një autori të jashtëzakonshëm, i cili është një libër që unë besoj se edhe për dikë që nuk do t'ia dijë fare për politikën apo për historinë e politikës, është tërheqës nga fillimi deri në fund.

Nuk besoj se ka një libër më të përshtatshëm për Qendrën për Hapje e Dialog, ku janë bërë shumë prezantime librash dhe është privilegj për mua që në këtë rast të jem këtu bashkë me të ftuarit, duke bërë edhe rolin e moderatorit dhe po e kaloj si fillim fjalën, Nikos për të folur në emër të shtëpisë botuese, duke e falënderuar në mënyrë të veçantë për mirësinë që pati që të ma dërgojë kopjen e librit me një dedikim shumë simpatik dhe mbi të gjitha për privilegjin që më dha, duke më ftuar që të bëj parathënien e këtij libri.

Ka qenë një nga ushtrimet më të vështira për mua në sensin e përgjegjësisë, sepse të fusësh fjalët e tua në një liber, ku janë edhe fjalët e njeriut të jashtëzakonshëm për nga shumë gjëra, po edhe për nga aftësia e të shkruarit nuk është diçka shumë e lehtë.” – u shpreh Kryeministri Rama në nisje të diskutimeve, duke ia kaluar fjalën përfaqësuesit të shtëpisë botuese, i cili ndau disa fakte mbi autorin dhe librin e tij.

“Kisinger ka shkruar shumë libra. “Lidershipit” e ka shkruar në moshën 99 vjeçare dhe ishte një lloj testament për liderët e botës, duke bërë një zgjedhje me shumë kujdes të 6 figurave dhe përveç këtyre, libri ka një hyrje shumë të bukur dhe konkluzion të mrekullueshëm.” – u shpreh përfaqësuesi i shtëpisë botuese.

Kryeministri Rama vlerësoi veçanërisht përkthimin e librit, i cili ka ruajtur fuqinë autentike të frazës, duke përcjellë qartësisht mesazhet tek lexuesit.

“Për hir të së vërtetës, të paktën në këndvështrimin tim përkthimi është goxha i shëndetshëm po themi dhe të jep një lirshmëri në lexim dhe duke e pas lexuar më parë në variantin origjinal pata pak frikë ta hap se thashë mos ndoshta do binte ajo fuqia e mprehtë e autorit, por përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe unë dua t’i komplimentoj përkthyesit mbase janë këtu.” – tha lidhur me këtë aspekt Kryeministri Rama teksa i dha fjalën Massimo D’alemes personalitet i politikës italiane, i cili ndau me të pranishmit disa impresione të tij mbi librin dhe personalitetin krijues të Kissinger.

Më pas, gjatë diskutimit, Kryeministri Rama u shpreh lidhur me botimin”: Unë them që libri ia vlen në shumë drejtime, por jam dakord me kryeministrin D'Alema që momentet më spektakolare të librit janë “hyrja” dhe “fundi”, ku flet vetë autori dhe është shumë befasues në fund një moment kur ai flet për atë që e përmendi Kryeministri, rënien e madhe morale, rritjen e pjerrësive, e dallgëve, e humnerave në situatën e sotme dhe pastaj në momentin që të krijon të gjithë ndjesinë që më pak ose më shumë të gjithë e kemi, nga koha e sotme, kalon te pjesa fare e fundit, ku kujton takimin e tij në vitin 1967, mos gabohem takimin e fundit me Adenauer-in, i cili ishte shumë i shqetësuar pikërisht për të njëjtat gjëra që jemi të shqetësuar ne sot dhe e pyet Kissinger-in e i thotë: A mendon ti se ka akoma sot mundësi që të ketë një udhëheqje me sens afatgjatë? dhe A mendon ti se sot mund ta nxjerri bota një udhëheqës të vërtetë? Të vërtetë në sensin e këndvështrimit, praktikisht të gjithë librit dhe është pak si ajo historia jonë me fëmijët që na duket sikur janë të pashpresë, në raport me çfarë iu kërkojmë ne, ndërkohë që gjithmonë kështu ka ndodhur me prindërit kur kanë përjetuar tek fëmijët ndryshimin e kohës.

Pastaj, Kissinger e vazhdon duke prekur pikërisht edhe njëherë nga e para disa prej personazheve që ka libri dhe duke thënë që: Sadati doli në momentin kur ishte absolutisht e pa imagjinueshme që mund të ndodhte ajo kthesë.

Po kështu Nixon shkoi në Kinë në një moment kur askush nuk e imagjinonte që do çohej presidenti i Amerikës e do shkonte në Kinë dhe në mbyllje të këtij rrethi i kthehet Machiavelli, i cili thoshte se krizat e mëdha të kësaj natyre vijnë pas një momenti të gjatë qetësie dhe komforti të krijuar nga një situatë përgjithësisht stabël, pa asnjë ngritje në një nivel tjetër dhe këtu sigurisht që ka një dritë shprese në fund të këtij tuneli ku ka hyrë bota.

Por natyrisht, ashtu sikundër, nuk mund të parashihet më parë se kush dhe si do të dilte në një apo në një aspekt tjetër dhe si një figurë në mes të një situate krize të caktuar do të bëhej akullthyesi që do të kthente përmbys gjithë paradigmën. Paradigmën edhe ne nuk mund ta dimë, as “kur”, as “si”, as “ku”, e me radhë.

Prezantohet libri “Lidership” i Henry Kissinger, një prej

Por në të gjitha rastet, edhe pse historia nuk përsëritet në mënyrë ciklike, pra historia nuk është një libër që mund ta lexosh dhe të parashikosh se çfarë do të ndodhi duke lexuar atë libër.

Historia ka shumë mësim brenda dhe patjetër që në këtë sens, ma ha mendja se zor të ketë pasur një të dytë në arenën e madhe të politikës ndërkombëtare, që të ketë pasur nga njëra anë njohjen kaq thellë të historisë së Henry Kissinger dhe nga ana tjetër, mprehtësinë për të kapur në kohë se si mund të ndërhyhej për të bërë atë që ai kishte fiksimin e tij absolut, ekuilibrin, ekuilibrin, ekuilibrin.

Dhe tek qasja e tij realiste që për shumëkënd ishte një qasje imorale ndaj botës, në fakt shtysa themelore ishte gjithmonë ekuilibri, ekuilibri i forcave. Dhe duke qenë se këtu u fol për episode unë e kam të pamundur të ndaj me ju bisedën me të për tema të nxehta të aktualitetit, ku mora përgjigje shumë interesante, por ka një moment në libër që për mua është i jashtëzakonshëm dhe që duhet t’ju vlejë të gjithë atyre që trajtojnë sot çështjen e Kinës dhe raportin me Kinën. Është momenti kur Kissinger dhe Zhou Enlai kanë shkruar gjithë tekstin e dokumentit historik i Communique-s të famshme të Shanghait dhe ka një problem që është Tajvani. Madje Kissinger aty bën një propozim që ka hyrë në terminologjinë historike si një inovacion i jashtëzakonshëm me termin ambiguitet strategjik, që propozon që të dyja palët Kina dhe Tajvani të pranojnë që ka një Kinë po secilës prej tyre t’iu lihet liri që të mendojnë që ajo një Kinë është e tyrja. Edhe Zhou Enlai i thotë këtu s’kam fuqi të jap përgjigje, duhet të pyes Chairman Maon dhe shkon tek Mao Zedong dhe i thotë “jemi Ok me të gjitha, ka një pikë që është Tajvani ku doktor Kissinger propozon të biem dakord që ka një Kinë dhe këtë të themi ne, këtë të thonë dhe në Tajvan dhe jemi të lirë ta mendojmë që kjo “një Kina” është e njërit apo e tjetrit, por gjithmonë ka një Kinë. Dhe Mao i thotë vetëm kjo është pika ku s’keni rënë dakord. Po i thotë. Epo mirë i thotë s’ka problem, “pranojmë dokumentin dhe te çështja e Tajvanit kthehemi pas 100 vjetësh”.

Dhe unë besoj që këtu është një shembull që i thotë të gjitha për kapacitetin strategjik të Kinës që bazohet në sistemin e tyre, që bazohet në traditën e tyre, që bazohet në kulturën e tyre dhe të cilin perëndimi ose nuk do ta kuptojë ose nuk arrin ta kuptojë, por që e bën Kinën një aktor me më shumë sesa atë palë të kartave që është në tryezën e lojës.

Dhe duke kuptuar këtë, Nixoni dhe Kissinger ndërtuan një strategji të tërë dhe është spektakolare në libër, pjesa e Kinës dhe se si ata iu afruan Kinës dhe sepse ata iu afruan Kinës. Dhe sikur në politikëbërjen e lartë amerikane të lexohej vetëm ajo pjesë disa vite më parë, sot gjërat mund të kishin qenë ndryshe dhe pa dyshim, që duke i dhënë përgjigje asaj që i dha Remziu, që e dinë të gjithë përgjigjen po nëse do të kishte një Kissinger në atë tryezë, me siguri që gjërat mund të kishin rrjedhur ndryshe. Besoj që me kaq, ne mund ta mbarojmë misionin tone, se libri është i gjithi aty për t’u lexuar. Unë jam shumëmirënjohës për praninë e të gjithë atyre që nuk e kishin detyim të vinin këtu, si ambasadorë. Ju falenderoj shumë.

Më vjen shumë mirë që dhashë dhe unë kontributin tim për të shitur disa kopje të librit të Henrit pas vdekjes dhe natyrisht më vjen po kaq mirë që më në fund, pati pak dritë në skenë për vëllain e Mondit. Shumë faleminderit."/dritare.net