Prokuroria sekuestron dokumentat e hidrovorit, inxhinieri në Dritare TV: Nuk funksionoi siç duhet
Dritare.net

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetime intensive pas përmbytjeve të rënda në qark, duke vënë në qendër të vëmendjes hidrovorin e ri të Porto Romanos, një investim prej rreth 19 milionë eurosh.
Prokurorët kanë sekuestruar dokumentacionin e projektimit, tenderimit dhe zbatimit të hidrovorit, pas dyshimeve se objekti nuk ka funksionuar në momentet kritike, duke ndikuar në përmbytjet masive të zonës.
Hetimi përfshin edhe procedurën e prokurimit, e fituar nga kompanitë “Vëllezërit Hysa”, “2T” dhe “Adriatik”, kjo e fundit e lidhur me ish-drejtues të Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, çka ka ngritur dyshime për paracaktim të tenderit.
Prokuroria po heton përgjegjësitë për shpërdorim detyre dhe përmbytje të pronës, ndërsa verifikon funksionimin real të hidrovorit gjatë situatës emergjente.
Gjatë një interviste në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, inxhinieri hidroteknik Dimitër Vogli ngriti pikëpyetje serioze mbi funksionalitetin e hidrovorit në Durrës, pas përmbytjeve të fundit që përfshinë zona të gjera të qytetit.
Duke iu referuar një hidrovorit në Porto Romano-Kënetë, inxhinier Vogli u shpreh se, ndonëse autoritetet deklaruan se hidrovori ishte në punë, realiteti në terren tregoi se ai nuk arriti të përmbushë funksionin e tij kryesor, pasi zonat përreth mbetën të përmbytura.
“Hidrovori punon, por nuk krijon efektin që duhet. Kjo përmbytje tregoi qartë se ai nuk e mbajti dot situatën nën kontroll,” u shpreh Vogli, duke theksuar se pa një analizë të detajuar teknike nuk mund të jepet një vlerësim i plotë mbi kapacitetin apo arsyen e ndërtimit të tij.
Sipas inxhinierit, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te hidrovori, por te rrjeti i vjetër i kullimit, i ndërtuar që në kohën e bujqësisë së centralizuar, i cili sot nuk përballon më sasinë e ujërave që vijnë nga reshjet dhe kanalet e ujërave të larta.
“Edhe nëse hidrovori heq një sasi uji, përmbytja mbetet sepse rrjeti është i amortizuar. Janë kanale të vjetra që sjellin volume të mëdha uji, të cilat nuk mund të menaxhohen me këtë infrastrukturë,” shpjegoi ai.
Vogli theksoi se zgjidhja nuk është ndërtimi i një objekti të vetëm, por një qasje e integruar.
“Nuk mund të paragjykojmë pa studim konkret, por fakt është që hidrovori vetëm nuk mjafton. Duhet një sistem i plotë që funksionon në harmoni,” përfundoi inxhinieri.
Intervista në Dritare TV solli edhe një herë në vëmendje nevojën për planifikim afatgjatë dhe investime të menduara mirë në infrastrukturën e menaxhimit të ujit, për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve në zonat urbane./L.F-dritare.net