Pse e injoruan thirrjen e Berishës Lapaj, Qori dhe Shehaj! Analisti zbulon arsyet!
Dritare.net

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara për emisionin Intervista e Ditës në DritareTv, analisti Akri Cipa komentoi mbledhjen e thirrur sot nga Sali Berisha.
Cipa theksoi se Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Agron Shehaj nuk e pranuan ftesën e Berishës, për arsye të ndryshme politike dhe strategjike. Sipas tij, nuk është hera e parë që shihen tentativa për bashkim në opozitë, por partitë e reja kanë zgjedhur një rrugëtim tjetër, jashtë skemës tradicionale të opozitës.
Cipa u ndal edhe tek gjuha e përdorur nga Berisha, të cilën e cilësoi si “rebele”, duke iu referuar deklaratës ku ai u kërkonte qytetarëve të qëllonin ministrat me vezë apo domate. Sipas Cipës, kjo retorikë nuk ndihmon në ndërtimin e një politike konstruktive.
Duke folur për situatën e përmbytjeve, Cipa e quajti këtë një problem të përsëritur ndër vite dhe theksoi se nevojitet debat serioz dhe zgjidhje konkrete për përmirësimin e infrastrukturës.
Më tej, analisti u shpreh se Partia Demokratike prej vitesh vuan nga mungesa e ideve dhe vizionit politik. Sipas tij, PD është tashmë e konsumuar dhe ka humbur besueshmërinë tek qytetarët.
“PD duhet të krijojë një vizion të ri politik. Për sa kohë mungon një koncept i qartë, partia do të vazhdojë të mbetet në të njëjtën situatë,” – u shpreh Akri Cipa.
Ai shtoi se disa nga partitë e reja politike kanë sot një vizion më të qartë dhe më të besueshëm sesa Partia Demokratike. M.K/Dritare.net