Rajmonda Bulku kujton 20 shkurtin 1991 në protestë: Morëm në dorë guximin sepse donim të ishim të lirë
Dritare.net

Mbështetës të opozitës u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë në protestën e katërt kombëtare të organizuar nga Partia Demokratike. Gjatë tubimit, në podium u ngjitën disa figura publike dhe përfaqësues të opozitës, të cilët mbajtën fjalime para protestuesve. Mes tyre ishte edhe aktorja e njohur Rajmonda Bulku, e cila në fjalën e saj kujtoi ngjarjet e 20 shkurtit 1991 dhe frymën e protestave studentore të asaj kohe, duke bërë thirrje që ajo energji dhe guxim të rikthehen edhe sot.
“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku./K.C./dritare.net