Rama heq Spiropalin nga Tirana, Balla merr drejtimin politik të qarkut
Dritare.net

Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht punën për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa në mbledhjen e fundit të Asamblesë së saj janë miratuar ndryshime të rëndësishme në drejtimin politik të qarqeve. Kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vendosur zëvendësime në 6 qarqe, duke larguar nga këto role Elisa Spiropalin, Eduart Shalsin, Benet Becin dhe Emirjana Sakon.
Ndërkohë, në 6 qarqe të tjera janë konfirmuar drejtuesit aktualë politikë, konkretisht në Fier, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan.
Rama u ka besuar gjithashtu drejtimin e qarqeve të Shkodrës dhe Lezhës dy ministrave të rinj, të cilët ende nuk janë provuar përmes votës.
Një nga lëvizjet më të bujshme ishte ndryshimi në qarkun e Tiranës. Edi Rama ka larguar Elisa Spiropalin nga drejtimi politik i këtij qarku, duke ia besuar detyrën kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ky i fundit do të vazhdojë njëkohësisht të mbajë edhe rolin e koordinatorit të PS-së për diasporën, si dhe drejtimin e njësisë numër 5 në Tiranë, së bashku me Erion Braçen dhe Fatmir Xhafajn.
Elisa Spiropali, e cila më herët u largua edhe nga posti i ministres së Jashtme, nuk do të ketë më drejtim politik në asnjë qark, por do të angazhohet vetëm si drejtuese e njësisë numër 13 në Tiranë, bashkë me Anila Denajn. Ndërkohë, Ogerta Manastirliu mbetet drejtuese politike e PS-së për Bashkinë e Tiranës.
Duke komentuar rezultatet dhe pritshmëritë për kryeqytetin, drejtuesit socialistë kanë pranuar se, megjithëse Tirana mbetet një qark i fituar, puna nuk ka qenë në nivelin maksimal të kërkuar. “Tirana është një qark i fituar, por jo në maksimumin tonë”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.
Ndryshimet në drejtimin politik të qarqeve konsiderohen si pjesë e strategjisë së hershme të Partisë Socialiste për të forcuar strukturat dhe për të hyrë më e organizuar në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2027./l.f-dritare.net
