Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama ngre alarmin për sigurinë ushqimore: Shqipëria larg mbylljes së kapitullit me BE

Rama ngre alarmin për sigurinë ushqimore: Shqipëria larg mbylljes

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësim për ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se vendi nuk po avancon me ritmin e duhur për mbylljen e kapitullit të sigurisë ushqimore.

Në fjalën e mbajtur para Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama u ndal te nevoja për një angazhim më të madh të grupit parlamentar dhe strukturave në terren, në mënyrë që i gjithë procesi i negociatave të jetë më i kuptueshëm dhe më pranë qytetarëve.

Sipas tij, është e domosdoshme që të rritet ndjeshëm informimi dhe koordinimi i grupit parlamentar për të gjitha etapat e negociatave me BE-në, ndërsa materiali dhe detyrat e përmbushura duhet të përcillen më qartë edhe në territor.

Rama sqaroi se informimi i qytetarëve nuk duhet të mbetet formal apo burokratik, por duhet të jetë i drejtpërdrejtë dhe i kuptueshëm. “Nuk kam parasysh të mbushim njerëzit me letra ku shkruhet kaq, kam parasysh që njerëzit duhet t’i mbajmë sa më të informuar”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë solli si shembull një mision monitorimi të dërguar nga Bashkimi Europian në disa pika të prodhimit dhe përpunimit të qumështit dhe mishit në Shqipëri. Sipas Ramës, rezultatet e këtij monitorimi kanë treguar se vendi është ende larg standardeve të kërkuara për të përmbyllur kapitullin që lidhet me sigurinë ushqimore.

"BE ka çuar një mision monitorimi të një sërë pikash ku prodhohet dhe përpunohet qumështi apo mishi, dhe rezultatet janë larg rezultateve të qenit në një vend ku mund të mbyllet kapitulli për sigurinë ushqimore".

Deklarata e Ramës vjen në një moment kur mazhoranca socialiste ka nisur një fazë të re organizimi politik dhe administrativ, ndërsa integrimi europian mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë./L.F-dritare.net