Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama kritikon kryebashkiakët për vonesat në “Paketën e Maleve”: Dorëzoni hartat, investitorët po presin

Rama kritikon kryebashkiakët për vonesat në “Paketën e

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me të gjithë kryebashkiakët e vendit, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Vendor Ervin dhe ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, për të diskutuar mbi ecurinë e “Paketës së Maleve”, një nismë ligjore e miratuar në fillim të këtij viti që synon nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonat malore të Shqipërisë.

Rama kërkoi nga kryebashkiakët dorëzimin urgjent të hartave të zonave prioritare, duke i akuzuar për neglizhencë dhe për vonesë në përpunimin e kërkesave të investitorëve, të cilët kanë shprehur interes për të përfituar nga kjo paketë.

“Në ditën e parë që u hap kanali online pati 800 shprehje interesi, kryesisht nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kjo tregon fuqinë tërheqëse të paketës, por ritmi i ulët i bashkive po dekurajon investitorët që prej muajsh presin përgjigje,” tha Rama.
Kryeministri njoftoi ngritjen e një task-force prej tre personash në çdo bashki, e cila do të ndihmojë në lehtësimin e procedurave për aplikuesit. Ai theksoi se 500 investitorët e parë që do të përzgjidhen do të përfitojnë kontrata 10-vjeçare pa pagesë taksash.

Rama nuk kurseu kritikat dhe ironitë ndaj kryebashkiakëve, përfshirë edhe ata të opozitës. Me humor, ai i quajti disa prej tyre “hudhra”, ndërsa i tha me ironi kryebashkiakut të Këlcyrës, Klement Ndoni, se nëse nis punimet brenda muajit “do ta vendosë në vend të Ali Pashës në shtatoren e Tepelenës”.

Kryeministri e mbylli takimin duke theksuar se “Pakoja e Maleve” duhet të ecë me ritmin e duhur dhe pa burokraci, për të shndërruar zonat malore në qendra të reja zhvillimi dhe investimesh./L.F-dritare.net