Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama mbledh qeverinë dhe grupin e PS të shtunën, ja programi!

Rama mbledh qeverinë dhe grupin e PS të shtunën, ja programi!

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë të shtunën, më 28 mars, një mbledhje të zgjeruar me anëtarët e qeverisë dhe deputetët. Takimi pritet të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe do të përqendrohet në çështje organizative.

Në këtë mbledhje janë parashikuar disa raportime nga drejtues dhe përfaqësues të institucioneve kryesore. Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, do të paraqesë ecurinë e punës së institucionit, ndërsa kryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, do të informojë mbi zhvillimet e reformës territoriale. Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, pritet të prezantojë çështje që lidhen me koordinimin institucional.

Një pjesë e mbledhjes do t’i kushtohet edhe strategjisë së komunikimit, ku do të raportojnë Anjeza Maja dhe Jonida Shehu. Në përfundim të punimeve, fjalën përmbyllëse do ta mbajnë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse gjatë këtij takimi do të diskutohet edhe mungesa e Elisa Spiropalit në votimin e fundit në Kuvend për Belinda Ballukun. Çështja ka nxitur debat pas shkëmbimit të deklaratave në distancë mes Spiropalit dhe Taulant Ballës.

Ky i fundit është shprehur se çdo vendim lidhur me situatën do të merret pas konsultimeve me grupin parlamentar. Nga ana tjetër, Elisa Spiropali ka theksuar se një vendimmarrje e tillë duhet të jetë e shpejtë, e argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë ndaj publikut./K.C/dritare.net