Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama në Dibër: PD akuzonte Nanon për lidhje me Beogradin, por natën i shisnin naftë Millosheviçit

Rama në Dibër: PD akuzonte Nanon për lidhje me Beogradin, por

Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me socialistët e Qarkut Dibër, ku nuk munguan as batutat dhe komentet politike. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal te rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke rikujtuar deklaratat e bëra gjatë fushatës elektorale dhe reagimet që ato shkaktuan.

Rama tha se komentet e tij “provokuan” kundërshtarët politikë, ndërsa shtoi se rezultati në zgjedhje tregoi mbështetjen e qytetarëve për Partinë Socialiste. Më tej, ai vlerësoi Dibrën si një zonë me mençuri politike dhe theksoi lidhjen e veçantë që, sipas tij, ka ndërtuar me banorët e këtij qarku ndër vite.

"Unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do të provokoheshin dhe do të hidheshin përpjetë dhe do të thonin nuk jemi çyrykë, po burra, dhe të gjithë burrat shkuan pas grave dhe do ta nxirrnin nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë për PS. Ai ka qenë edhe një moment tjetër i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone, që për një sërë arsyesh ndihem shumë i lirë dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet dhe me dëshminë e ardhjes",- tha Rama.

Kryesocialisti u ndal gjithashtu te historia 35-vjeçare e Partisë Socialiste, duke theksuar se PS ka qenë gjithmonë e lidhur me interesin kombëtar dhe me orientimin evropian të vendit.

"Ne kemi parë dhe kemi dëgjuar shumë, por dhe kemi bërë shumë, dhe duke u kthyer tek çfarë tha Ulsiu në fjalën e tij përmbyllëse, unë dua ta rinënvizoj sepse historia e PS nuk nis me momentin kur hyra në parti unë me Ulsiun. Por nis në momentin kur idealët dhe progresistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara, duke i dhënë jetë një partie e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare. Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se sa një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Shembulli më kulmor i këtij fakti është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata i bombardonin, ishin ata që ditën flisnin për Kosovën dhe natën thyen embargon që bota demokratike i kishte vënë Slobodan Millosheviçit. Ishte pikërisht PS dhe qeveritë e PS",- tha Rama./K.C/dritare.net