Rama: Pas strehimit të opozitës iraniane, Irani na goditi me sulme kibernetike!
Dritare.net

Shqipëria dhe Izraeli po forcojnë partneritetin në sigurinë kibernetike dhe teknologji. Në samitin që bëri bashkë 40 kompani inovative izraelite, kryeministri Edi Rama e cilësoi bashkëpunimin mes dy vendeve si një partneritet të ndërtuar mbi vlera njerëzore dhe mirënjohje historike.
Në fjalën e tij, Rama u ndal tek sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë, pas strehimit të muxhahedinëve iranianë në vendin tonë.
“Ne ju hapëm derën disa mijëra iranianëve të cilët janë në opozitë dhe nuk e bëmë për shkak të ndonjë motivi politik, që t’iu jepnim ndonjë platformë, e bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe se askush nuk donte ti shpëtonte. Ne ju hapëm dyert, ju dhamë strehë dhe bëmë një marrëveshje që ata mund të jetojnë në Shqipëri, të rrisin fëmijët e tyre, për aq kohë sa është e nevojshme. Megjithatë kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian, që nuk e duronte dot këtë gjë dhe na sulmoi”, tha Rama.
Kryeministri tha se objektivi i sulmit ishte sistemi i shërbimeve online të Shqipërisë, që sipas tij transformoi administratën publike.
“Sulmoi atë që kishim ndërtuar për të transformuar shërbimet tona publike nga një sistem korruptiv e i zymtë që iu shërbente qytetarëve në një sistem të shpejtë, transparent pa tarifa, që ofrohej online. U bëmë një vend që 95% të shërbimeve e ofron online. Ata synuan ta shkatërronin këtë për të na çuar mbrapsht në kohën e errët të shërbimeve publike në nivelin më të ulët”, theksoi Rama.
Rama falënderoi Izraelin për mbështetjen e dhënë pas sulmeve nga Irani, duke theksuar se falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë Shqipëria arriti të përballojë sulmin. Shefi i qeverisë theksoi se pas sulmeve iraniane, Shqipëria investoi në ngritjen e një sistemi më të avancuar të mbrojtjes kibernetike, ndërsa Iranin e shpalli shtet sponsor të terrorizmit.
“Ishim shumë të kënaqur kur Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë. Falë kësaj ndihme dhe ndihmës së Emirateve dhe ekspertëve nga SHBA, i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë sistem mbrojtjeje. Sistemi duhet të përballonte sulmet e një armiku jo të e lehtë, ndërkohë ndërpremë çdo marrëdhënie me Iranin dhe e deklaruam shtet sponsor të terrorizimit. Sot mund të themi që kemi nivel të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike”, theksoi Rama.
Në fund të fjalës së tij, Rama përcolli edhe një mesazh për marrëdhënien historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve.
"Mos harroni kurrë që për hebrenjtë Shqipëria është shtëpi. Çfarë do mund të mendojnë shqiptarët për tema të ndryshme, politikat e ndryshme, qeverinë tuaj, ka një gjë që është e sigurt dhe ambasadori mund t’ua garantojë që s’ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur, përfundoi Rama./dritare.net