Anija me hantavirus ankorohet në Ishujt Kanarie. Çfarë do të ndodhë tani!
Dritare.net

Një anije turistike, MV Hondius, që është goditur nga një shpërthim i rrallë i hantavirusit Andes, ka mbërritur në Tenerife në Ishujt Kanarie pas gati një muaji në det.
Tre pasagjerë kanë humbur jetën gjatë udhëtimit, ndërsa mbi 100 persona ndodhen ende në bord. Autoritetet spanjolle kanë organizuar një operacion shumë të rreptë sigurie për të shmangur përhapjen e virusit.
Anija nuk u lejua të ankorohej menjëherë në portin e Granadilla-s. U krijua një perimetër sigurie prej një milje detare dhe ekipe mjekësore pritej të hipnin në bord për të kontrolluar pasagjerët dhe ekuipazhin. Deri tani nuk raportohet për raste të reja me simptoma.
Virusi besohet se lidhet me një zonë landfilli në jug të Argjentinës, ku ai transmetohet nga brejtësit. Kalimi i virusit nga njeriu te njeriu është shumë i rrallë, por në këtë rast dyshohet se ka ndodhur.
Operacioni përfshin 23 shtete. Pasagjerët do të ndahen sipas kombësisë dhe do të transportohen me avionë charter drejt vendeve të tyre. Disa persona mund të vendosen në karantinë, pasi periudha e inkubacionit të virusit mund të zgjasë deri në nëntë javë.
Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, tha se rreziku për popullsinë është i ulët dhe kërkoi që të shmanget paniku dhe dezinformimi.
Edhe drejtori i World Health Organization, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ndodhet në Tenerife, deklaroi se autoritetet spanjolle kanë reaguar në mënyrë “të fortë dhe efektive” dhe se rreziku i përhapjes më të gjerë mbetet i vogël./K.C/dritare.net