
Rama: Qysh në 1998 kam luftuar për hapësirat publike, e bukura do na shërojë
Dritare.net
Gjatë një komunikimi live në Facebook, kryeministri Edi Rama theksoi se përkushtimi i tij për hapësirat publike nuk është i vonuar, por një përpjekje e nisur që në vitin 1998, kur ai tha se “një nga gjërat e para që kam bërë është që kam mbledhur disa fëmijë për të pikturuar një gardh teneqesh që ishte mu ngjitur në Ministrinë e Kulturës, aty ku sot është parku i Vëllezërve Frashërit”.
Ai shtoi se “që nga dita e parë dhe sot e derisa të vdes, jetoj me mendimin që e bukura do të na shërojë, e shëmtuara vetëm na sëmur më shumë.” Rama shpjegoi se marrëdhënia me hapësirën e përbashkët ka qenë “e deformuar totalisht në 50 vite komunizëm”, duke u kthyer pastaj në një “hapësirë për t'u pushtuar dhe gjithçka u bë mall për t'u plaçkitur”.
Kryeministri nënvizoi se hyrja në Bashkimin Evropian kërkon një ndryshim thelbësor në qasje: “Çfarë themi për ligjin, çfarë themi për bashkëjetesën, duhet ta kemi në radhë të parë te vetja, jo ‘e dua ligjin të funksionojë për të tjerët, po jo për mua’.”
Si deputet i Tiranës, Rama deklaroi se këtë detyrë e konsideron “përgjegjësi të jashtëzakonshme” dhe jo një mundësi për favore personale. Ai tha se në fushatën e tij ka konstatuar “ngufatjen e hapësirës së përbashkët” dhe bashkë me grupin e deputetëve të qyteteve të mëdha po punojnë për të bërë një inventar të 1800 pikave që duhen çliruar nga ndërtime të paligjshme.
Ai sqaroi se “nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje të natyrës mur, llaç, tulla”, por për ndërtime “të çmontueshme në pjesën ndërmuese të tyre”, të cilat po çmontohet vullnetarisht nga pronarët. Rama theksoi gjithashtu se “kjo nuk është një sulm ndaj aktivitetit sipërmarrës”, ndërsa paralajmëroi se po përgatitet “një rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë” dhe do “hapë hapësirat e lirisë”, duke ruajtur balancën mes interesave të komunitetit dhe aktiviteteve tregtare./K.C/dritare.net

















