Ramazani dhe Kreshma bashkë këtë vit, qytetarët: Muaj reflektimi, paqeje dhe besimi
Dritare.net

Muaji i shenjtë i Ramazanit këtë vit përkoi me periudhën e Kreshmëve të besimtarëve të krishterë, duke sjellë një moment të veçantë reflektimi dhe spiritualiteti për shumë shqiptarë. Në një Vox Pop për DritareTV, qytetarët ndajnë mendimet e tyre për agjërimin, besimin dhe domethënien që kanë këto periudha për jetën e përditshme.
Për shumë besimtarë, agjërimi nuk është vetëm një ritual fetar, por mbi të gjitha një proces shpirtëror që lidhet me reflektimin dhe përmirësimin e vetes.
Një qytetar shprehet se agjërimi duhet të shoqërohet me sjellje të mira dhe me përpjekjen për të mos bërë keq ndaj të tjerëve.
“Agjërimin njeriu e ka këtu, në zemër. Nëse bën keq dhe pastaj shkon e falet në xhami, nuk quhet agjërim.”, thotë ai, duke theksuar se muaji i Ramazanit duhet të jetë një periudhë pendese dhe reflektimi.
Të tjerë qytetarë tregojnë se agjërimi këtë vit është ndier më i lehtë për shkak të temperaturave më të freskëta krahasuar me vitet kur Ramazani ka rënë në muajt e verës. Një zonjë thotë se tavolina e iftarit për familjen e saj përfshin ushqime të thjeshta, si supë, petulla dhe gatime të tjera që ndihmojnë trupin pas një dite pa ushqim.
“Kur agjëron me dëshirë, Zoti ta shton vetë begatinë në tavolinë.”, shprehet ajo.
Edhe qytetarë që nuk agjërojnë tregojnë respekt për këtë praktikë dhe për besimin e të tjerëve. Disa prej tyre theksojnë se këtë vit ka qenë e veçantë përputhja e Ramazanit me Kreshmët e të krishterëve.
“Kjo periudhë është më shumë shpirtërore. Feja të çon në rrugë të drejtë dhe të pastër.”, shprehet një tjetër qytetar.
Ndërsa një tjetër thekson harmoninë fetare në Shqipëri, duke thënë se shqiptarët respektojnë njëri-tjetrin pavarësisht besimit.
“Ne këtu nuk themi ky është mysliman e ai i krishterë. Respektojmë të gjitha fetë.”
Pavarësisht nëse agjërojnë apo jo, shumica e qytetarëve bien dakord për një gjë: këto periudha fetare duhet të shërbejnë për më shumë paqe, mirëkuptim dhe reflektim në shoqëri.
“Jeta e njeriut duhet të jetë në paqe jo vetëm për një muaj, por gjatë gjithë vitit”, thotë një prej qytetarëve për mikrofonin e DritareTV./K./dritare.net