Reshje intensive dhe rrezik përmbytjesh. Ja vendet më të rrezikuara!
Dritare.net

Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se gjatë kësaj pasditeje dhe ditës së nesërme vendi do të përfshihet nga reshje shiu me intensitet të lartë, të përqendruara kryesisht në zonat veriore dhe jugore të Shqipërisë. Situata paraqitet problematike veçanërisht në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Sipas parashikimeve, reshjet intensive mund të shkaktojnë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, rrëshqitje të dherave dhe probleme në zonat urbane, ku priten përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve dhe kullimit.
IGJEO bën me dije se, për shkak të reshjeve të forta të rëna gjatë ditëve të fundit dhe atyre që pritet të vazhdojnë deri ditën e enjte, më 8 janar, do të ketë rritje të ndjeshme dhe potencialisht të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve ujore në disa nga lumenjtë kryesorë të vendit. Në vëzhgim të veçantë janë sistemi Drin–Bunë, Liqeni i Shkodrës, lumi Mat, Shkumbini dhe Vjosa.
Autoritetet u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe qytetarëve në zonat e rrezikuara të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet pranë përrenjve, lumenjve dhe zonave të rrëshqitjeve, për të minimizuar rrezikun nga situata hidrometeorologjike./L.F-dritare.net