Resorti në Zvërnec/ Rama fton protestuesit: Zgjidhni 20 përfaqësues dhe ulemi të flasim
Dritare.net

Përballë protestave që prej ditësh po kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ftojë protestuesit në dialog, pa lëvizur nga qëndrimi i tij në mbështetje të projektit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama u kërkoi kundërshtarëve të investimit të përzgjedhin deri në 20 përfaqësues për një bashkëbisedim publik mbi çështjen, duke garantuar se është i gatshëm të diskutojë për gjithçka, nga mjedisi dhe pronat, te investimet e huaja dhe transparenca. Megjithatë, kreu i qeverisë e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga plani për zhvillimin e resortit në Zvërnec.
Reagimi i Ramës:
"Çuna, Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua - ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës - dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara:
ju në kor me robt e shtëpisë time,
unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europia.", shkruan Rama./K.C/dritare.net