Riaktivizohet zjarri në tregun “5 Maji”, dhjetëra biznese familjare të shkatërruara
Dritare.net

Zjarri në tregun “5 Maji” është riaktivizuar sërish këtë të premte, duke rikthyer panikun mes tregtarëve të zonës. Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve, si dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre.
Deri më tani raportohet se të paktën 50 subjekte tregtare që ushtronin aktivitet në kapanonin ku nisi zjarri janë djegur plotësisht, duke pësuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nuk ka raportime për persona të lënduar.
Disa prej tregtarëve që kishin magazinat në këtë zonë kanë qëndruar aty gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit. Ata kanë refuzuar të flasin për mediat dhe duken qartazi emocionalisht të rënduar, pasi kanë humbur gjithçka. Në këto magazina ruheshin kryesisht mallra të ndryshme si veshje dhe tekstile, të cilat u shkatërruan nga flakët.
Bizneset e prekura ishin kryesisht familjare, ndërsa aktiviteti tregtar përbënte burimin e vetëm të jetesës për qindra persona. Humbjet e pësuara konsiderohen të rënda dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të shumë familjeve.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri i rënë një natë më parë mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes./L.F-dritare.net