Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria prezanton identitetin digjital. Rama: Jemi një hap para BE

Shqipëria prezanton identitetin digjital. Rama: Jemi një hap para BE

Shqipëria ka prezantuar sot identitetin digjital, një projekt që synon të revolucionarizojë marrëdhënien midis qytetarëve dhe shtetit, duke e bërë të mundur nënshkrimin, pagesat dhe shërbimet publike përmes telefonit, në çdo vend dhe në çdo moment.

Në eventin e organizuar nga Ministria e Brendshme, u demonstrua mënyra e funksionimit të identitetit digjital, i cili do të jetë në dispozicion të publikut në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një hap të madh drejt modernizimit të vendit, duke theksuar se Shqipëria do ta zbatojë këtë projekt një vit përpara Bashkimit Europian, që synon implementimin e identitetit digjital në vitin 2027.

“Identiteti digjital është baza e kalimit nga paratë cash në transaksionet digjitale. Ai do të sjellë më shumë siguri për qytetarët, transparencë për biznesin dhe ulje të informalitetit,” – tha Rama.

Kryeministri përmendi gjithashtu projektet e tjera që po zhvillohen, si “Smart City”, që synon digjitalizimin e monitorimit të trafikut dhe rritjen e sigurisë publike, si dhe kompanitë publike IdentiTek dhe AlbTrace, të cilat do të luajnë rol kyç në këtë proces modernizimi.

“Me këto projekte, ne do të çojmë Shqipërinë e vitit 2030 në një nivel të ri zhvillimi dhe do t’i lehtësojmë jetën qytetarëve,” – përfundoi Rama./L.F-dritare.net