
Nëna dhe djali 14-vjeçar vdiqën nga asfiksia, fqinja: Vajza është hedhur nga dritarja
Dritare.net
Ditën e sotme një zjarr në një banesë në Maliq i mori jetën shtetases Merjeme Azizllari dhe djalit të saj 14-vjeçar, Valter Azizllari, ndërkohë që i dëmtuar rëndë ka mbetur edhe fëmija i vogël i familjes, një djalë 6 vjeçar.
Fqinja e familjes, Benereta Pashollari për mediat rrëfeu momentet tragjike dhe jep detaje tronditëse mbi ngjarjen. Sipas saj, sfungjeri i një dysheku në banesë mori flakë, duke përhapur tym të dendur në të gjithë shtëpinë. Për shkak të mungesës së oksigjenit, nëna dhe djali nuk arritën të dilnin në kohë dhe humbën jetën si pasojë e asfiksisë.
“Familje punëtorë, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim ‘laji, shpëlaji’.
E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin me spektrin autik.
Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën.
Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi fqinja, doli dhe fqinja tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur," tha Pashollari.

















