Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK aksion në Vlorë, RENEA dhe BKH në terren për ekzekutimin e 7 urdhërarresteve

SPAK aksion në Vlorë, RENEA dhe BKH në terren për

Një operacion i gjerë i urdhëruar nga SPAK është zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në Vlorë, kryesisht në zonën bregdetare të Orikumit, për ekzekutimin e shtatë urdhërarresteve të lëshuara në kuadër të hetimeve për disa ngjarje kriminale.

Në aksion janë përfshirë forcat speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërsa objekt i operacionit është edhe një prej emrave të njohur të botës së krimit, Inez Hajrulla.

Zbardhja e disa ngjarjeve kriminale është bërë e mundur pas arrestimit të Flodian Plakut, i njohur ndryshe si “Poli Qorre”, në gusht të vitit 2025. Gjatë operacionit për arrestimin e tij, hetuesit sekuestruan disa telefona celularë, përmes të cilëve u zbërthyen komunikime që çuan në identifikimin e disa episodeve kriminale.

Prej kohësh, disa eksponentë të dyshuar të krimit janë mbajtur nën vëzhgim, ndërsa ndërhyrja e sotme është përqendruar në zonën e Uji i Ftohtë, ku është vendosur një perimetër i gjerë sigurie. Kontrollet po zhvillohen në zonën e njohur si “7 pallatet Oslo”, e konsideruar edhe si bazë e Inez Hajrullait.

Gjatë operacionit, RENEA ka bllokuar Unazën e Vlorës, rrugën paralele me Lungomaren, ndërsa zona është monitoruar edhe me dron. Rreth 40 efektivë dhe rreth 10 mjete të blinduara kanë rrethuar një pallat ku po kryhen kontrolle.

Flodian Plaku akuzohet për vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja në mars të vitit 2024 në Larushkë, Fushë‑Krujë. Sipas hetimeve, krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, në kuadër të përplasjeve dhe rivaliteteve mes grupeve kriminale të lidhura me emra si Ervis Martinaj, Indrit Dokle dhe Durim Bami.

Operacioni vijon ende, ndërsa pritet që autoritetet të japin detaje të tjera për rezultatet e aksionit./L.F-dritare.net