
Si ia doli Norvegjia me pandeminë? Një shqiptare tregon çfarë po ndodh atje!
Dritare.net
Nga Kadrije Çako
Ndërsa Evropa është pushtuar nga vala e dytë Covid-19, Norvegjia po futet në mesin e shembujve të virtytshëm në menaxhimin e pandemisë. Pavarësisht se ka një nga normat më të ulëta të infeksionit në Evropë, të hënën, më 26 tetor vendi skandinav njoftoi masa të reja kufizuese të reja pasi regjistroi rritje të infeksioneve javën e fundit. Në dy javët e fundit ka regjistruar vetëm 37.7 raste të reja për 100 mijë banorë, shifra më e ulët mes 31 vendeve të tjera. Për këtë arsye Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik hedh poshtë përkufizimin e valës së dytë. Arsyeja pse Norvegjia po merret si shembull tani është për shkak se po hedh hapa të vegjël për shmangur nevojën e masave drastike më vonë.
Por kush më mirë se një qytetare e Norvegjisë mund të na tregojë se çfarë po ndodh atje. Dritare.net kontaktoi me Migreta Dervishin shqiptaren nga Vlora, që jeton në Norvegji, për të kuptuar më shumë rreth situatës me pandeminë në vendin skandinav.
Dritare.net: Ndërkohë që Evropa po mbytet nga Covid-19, Norvegjia është futur në mesin e vendeve që duhen marrë shembull për menaxhimin e pandemisë. Çfarë po ndodh, si është situata atje?
Migreta Dervishi: Norvegjia është një nga vendet e Evropës me numrin më të ulet të infektimeve për 1 milion banorë. Ka periudha që ka rritje të përhapjes së virusit në qytetet më të mëdha të Norvegjisë, por situata është nën kontroll. Norvegjia ka rreth 5.4 milionë banorë dhe ka kryer deri sot rreth 1.6 milionë testime. Qendrat e testimit janë lokalizuar thuajse në çdo lagje.
Dritare.net: Si funksionon strategjia "ec me hapat e bebes" në Norvegji?
Migreta Dervishi: Kjo ka të bëjë me hapjen e vendit në mënyrë të ngadaltë dhe rivlerësimin e masave në mënyrë periodike. Një shembull konkret është rritja e infektimeve javën e fundit dhe qeveria doli në konferencë për shtyp me sugjerime konkrete.
Dritare.net: Çfarë masash kufizuese janë në fuqi?
Migreta Dervishi: Masat janë:
- Në një ambient privat (shtëpi) nuk sugjerohet të mblidhen më shumë se 5 persona përveç anëtarëve të familjes.
- Përdorimi i maskave në transport publik kur nuk është e mundur të ruhet distanca prej 1 metrash.
- Të punuarit nga shtëpia për të gjithë ata që e kanë të mundur këtë.
- Ruajtja e distanca prej 1 metrash, përdorimi i antibakterialeve që janë të vendosura kudo në ambiente të ndryshme.
- Në festa private nuk mund të ketë më shumë se 50 pjesëmarrës.
- Personat që vijnë nga jashtë vendit duhet të rrinë 10 ditë karantinë. Nga karantina përjashtohen vetëm ata që vijnë nga disa vende si p.sh Finlanda që ka pak të infektuar.
- Në komunat ku ka shumë të infektuar vendosen rregulla lokalë shumë më të forta se rregullat nacionalë të sipërpërmendur.
Duhet theksuar edhe që Norvegjia ka dhënë 13 miliardë korona (mbi 1 milionë dollarë) te mbledhja e Komitetit Evropian për vaksinën e Covid-19.
Dritare.net: E quan Norvegjia një fitore luftën me virusin?
Migreta Dervishi: Luftën nuk e quajnë të fituar pasi Norvegjia nuk e krahason veten me vendet e tjera, por punon që mos të ketë jetë të humbura nga virusi. Për sa kohë që ka pasur vdekje qeveria punon fort për kufizimin e rasteve. Si përfundim doja të theksoja që këtu shumë pak rregulla janë të detyruar, shumica janë sugjerime, por ndërgjegjësimi është shumë i lartë dhe sugjerimet respektohen me përpikëri./dritare.net

















