Sylvinho beson te grupi për sfidën me Poloninë: Jemi rritur shumë si skuadër
Dritare.net

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, është shprehur i bindur për zgjedhjet e bëra në listën e lojtarëve të grumbulluar, ndërsa ka vlerësuar rritjen e skuadrës kuqezi gjatë tre viteve të fundit dhe përgatitjet për përballjen ndaj Polonisë.
Në deklaratën e tij, tekniku brazilian theksoi se stafi ka besim të plotë te futbollistët e përzgjedhur dhe e konsideroi privilegj drejtimin e ekipit kombëtar. Sipas tij, grupi aktual përfaqëson më së miri nevojat e skuadrës, edhe pse dëshira është që të ketë sa më shumë alternativa në dispozicion.
Sylvinho u ndal edhe te mungesat dhe përzgjedhjet individuale, duke sqaruar se vendimet janë marrë mbi bazën e gjendjes fizike dhe asaj që i duhet ekipit në këtë moment. Për Seferin, ai nënvizoi se Shqipëria ka lojtarë të mjaftueshëm për fazën sulmuese, ndërsa për Naser Alijin tha se nuk mund të rrezikojë me një futbollist që nuk është ende në formën e tij maksimale. Sa i takon Brojës, trajneri u shpreh se ende nuk ka një vendim përfundimtar, pasi sulmuesi sapo është rikthyer pas një periudhe të gjatë jashtë fushave.
Ai veçoi gjithashtu rastin e Pilos, duke theksuar se bëhet fjalë për një lojtar që ndiqet prej kohësh nga stafi teknik dhe që nuk konsiderohet një element i papërvojë, pavarësisht moshës.
Duke folur për ecurinë e Kombëtares, Sylvinho tha se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm si ekip, si federatë dhe si staf, duke kujtuar rrugëtimin në Europian, Nations League dhe tashmë në kualifikueset e Botërorit. Ai përmendi edhe ndeshjen ndaj Andorrës, ku sipas tij hyrja e Bajramit ndikoi në zhbllokimin e lojës dhe solli një gol të realizuar pas një aksioni të bukur kolektiv.
Në prag të duelit me Poloninë, trajneri kuqezi vlerësoi kundërshtarin si një skuadër të fortë dhe shumë të organizuar në mbrojtje. Sipas Sylvinhos, Polonia ka disa lojtarë të rrezikshëm në repartin ofensiv, por Shqipëria është rritur dhe ka sot një grup që i jep besim për të përballuar sfida të këtij niveli.
“Jemi rritur shumë, si ekip, si staf”, deklaroi Sylvinho, duke nënvizuar se fryma e grupit mbetet një nga pikat më të forta të kësaj Kombëtareje./L.F-dritare.ent