Trishtimi im më i madh, kur lashë Shqipërinë!
Dritare.net

Një intervistë me Fan Nolin- Nga Peter Prifti
Kohët e fundit patëm nderin dhe kënaqësinë e një audience me Hirësinë e Tij, kryepeshkopi Fan S. Nolin, kryetar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Lexuesit e Diellit padyshim që e dinë se ai është dhe president nderi i Vatrës.
E takuam në rezidencën e tij në rrugën Blagden, një vend i mobiluar me modesti ku ai ka jetuar e punuar për shumë vjet. Thuhet se ai ka kthyer mbrapsht shumë sugjerime për të banuar në një vend tjetër më të rehatshëm, sepse vendi ku jeton sot është pranë bibliotekës publike ku ai kalon një kohë të konsiderueshme në studimin e librave etj. Biblioteka është vetëm gjysmë blloku larg shtëpisë së tij. Ai ka qenë gjithmonë pranë librave. Lexuesit njohin shumë libra të mirëshkruar prej tij. Në studion e tij, syri të sheh rafte të tëra me libra. Kur dikush e pyeti një herë se a ndjehej i vetmuar pa njeri pranë për të biseduar, ai tha: “Ata janë të gjithë miqtë e mi; unë mund të bisedoj me secilin prej tyre.” Aktualisht ai është i zënë me përgatitjen e një Himni. Mobilimi modest i shtëpisë përputhet me karakterin e tij, sepse ai është vetë modest.
E njëjta karakteristikë vërehet edhe në mënyrën se si vishet si dhe në të folur. Flet me zë miqësor, me kujdes dhe mendueshëm dhe lëviz kokën kur aprovon ndonjë mendim.
Ne ishim të interesuar të dinim pikëpamjet e tij për tri çështje të lidhura me njëra-tjetrën: nacionalizmi shqiptar, puna e tij krijuese dhe komuniteti shqiptar në Amerikë. Për çështjen e parë kryepeshkopi na tha se kish filluar të interesohej për problemin e nacionalizmit shqiptar në moshën dhjetë vjeç, kur lexoi përkthimin shqip të Dhiatës së Re nga Kostandin Kristoforidhi dhe pamflete të tjera propagandistike shqiptare. Kopje falas të këtyre botimeve ishin shpërndarë gjerësisht në fshatin e tij të lindjes Ibrik-Tepe në Turqi. Ai e konsideron pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, më 1920, si fitoren më të madhe në betejën e tij për çështjen shqiptare, sepse kjo zgjidhi problemin e kufijve të Shqipërisë, që pretendoheshin nga fqinjët e saj. Por pati edhe pakënaqësi. “Trishtimi im më i madh,” tha ai, “qe kur lashë Shqipërinë më 1924, sepse kjo i dha fund punës time në atdhe.”
Në vazhdën e punës për Shqipërinë, ai hyri në lidhje me shumë udhëheqës shqiptarë, veçanërisht me Faik Konicën. Opinioni i tij për Konicën jepet në hyrjen e librit Shqipëria: Kopshti shkëmbor në Evropën Juglindore, ku thotë: “Konica mund të konsiderohet si krijuesi i prozës moderne shqiptare. Me këshillën dhe drejtimin e tij unë përktheva disa vepra të Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allan Poe-s dhe Don Kishotin e Servantesit.” Vlerësimi i lartë që i bën Konicës del qartë nga pohimi se e konsideron veten nxënës të Konicës.
Po të kalojmë te çështja e dytë, puna e tij krijuese, është e njohur se ai ka punuar në shumë fusha, duke përfshirë midis të tjerash historinë, fenë dhe muzikën. Ishim kuriozë të dinim se cilat nga këto i interesonte më tepër, sepse kishim dëgjuar mendime të kundërta për këtë çështje, disa që besojnë se letërsia është më e dashur për të, të tjerë mendojnë se është historia etj. Megjithatë, është fakt se feja është lënda e tij më e preferuar. “Jam marrë,” tha Hirësia e Tij, “me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës time, sepse e fillova karrierën time si klerik.”
Dikush mund të thotë se personazhe të preferuar historikë mund të jenë për të njerëz si Bethoveni dhe Napoleoni, të cilët i ka studiuar thellësisht dhe për të cilët ka shkruar dhe ka folur shumë. Aktualisht njerëzit që çmon më shumë janë krijuesit e kombit si George Washington dhe Skënderbeu dhe reformatorët e kombit si Lincoln dhe Cromwell. Arsyeja, siç tha vetë, është se është përpjekur të bëjë të njëjtën punë për atdheun e tij.
Kryepeshkopi Noli ka përkthyer në shqip shumë klasikë të letërsisë dhe vepra të rëndësishme fetare. Shumë prej atyre që kanë lexuar përkthimet e tij të klasikëve flasin me admirim për të, për aftësinë me të cilën i ka paraqitur ato në gjuhën shqipe. Por ai vetë preferon përkthimin e një vepre fetare. Ai tha: “E konsideroj versionin ritmik të Himneve Bizantine përfshirë në vëllimin Kremtore si më të vështirin dhe më tërheqësin e përkthimeve të mia.”
Ç’mendon ai për muzikën moderne, poezinë, oratorinë dhe diplomacinë? Përgjigjja është se i interesojnë të dyja format e këtyre arteve, si modernia ashtu dhe antikja, sepse sikurse Gëte ai është universal në shije.
Për çështjen e tretë, komunitetin shqiptaro-amerikan sot, ai ka besim tek e ardhmja e komunitetit nëse do të ecim me kohën. Lidhur me punët e kishës ai ndjen nevojën e domosdoshme të amerikanizimit të Kishës Ortodokse. Alternativë për këtë, mendon ai, është “vetëvrasja kishtare.” Sipas mendimit të tij, sa më shpejt të bëhet kjo aq më mirë është, “sepse politika e ngadalshme mund të çojë në humbjen e pariparueshme të brezit të ri,” të cilët nuk i kuptojnë shërbesat në gjuhën shqipe. Ai nuk e llogarit rrezikun e grekofilisë ndaj kishës. Për këtë pikë ai theksoi se “ne i kemi mundur ata për 50 vjetët e fundit dhe do t’i mundim edhe në të ardhmen.” Ne pajtohemi me të.
Audiencës tonë me shqiptarin më të shquar të kohës i erdhi fundi. E falënderuam. Ai tundi kokën, u ngrit, buzëqeshi ngrohtësisht dhe me një lëvizje të lehtë të dorës na tha “lamtumirë.”
Shënim
Nga shkrimet e botuara në Dielli prej profesor P. Prifti gjatë viteve 1958–1960, vlerë të veçantë paraqet “Një audiencë me Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin Mitropolit F. S. Noli”, i botuar në faqet e Diellit më 10 dhjetor 1958. Shkrimi është dokument autentik me dëshmi të drejtpërdrejta, që u përcjell lexuesve mendime dhe gjykime të Nolit për disa çështje themelore të kulturës dhe historisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, ai ngërthen dhe mbresa me shumë interes për Nolin dhe mjedisin e tij, të para nën vështrimin e një intelektuali patriot. / dritare.net