
U shtrua në spital me takikardi, Nuredin Dumani ka kryer 2 operacione në zemër
Dritare.net
Problemet e para me zemrën, Nuredin Dumani, i ka konstatuar në vitin 2009, kur u paraqit në spital për një vizitë për kurimin e këmbës.
Në atë kohë, u desh një aksident automobilistik në rrugën Çermë-Divjakë, që Nuredin Dumani, të shtrohej në spital për shkak të thyerjes së këmbës në 3 pjesë të ndryshme.
Teksa mjekët e spitalit, filluan me analizat dhe ekzaminimet mjekësore, ata kuptuan se pacienti, Nuredin Dumani, që deri në atë kohë nuk i kishte hyrë rrugës së vrasjeve por punonte si tregtar i fruta-perimeve, vuante nga anomali serioze të zemrës.
Zemra e Dumanit, i është nënshtruar 2 operacioneve kirurgjikale në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë dhe në vitin 2018 në spitalin Bordo të Francës, ku bashkëpuntori i SPAK ka kryer transplantin e aortës.
Misteri me Nuredin Dumanin, mjekët ende nuk kanë një diagnozë! Vrasësi me pagesë mbërriti në QSUT në gjendje të rëndë, pasi konsumoi karkaleca në qeli...
E pavarësisht këtyre dy ndërhyrjeve të rrezikshme kirurgjikale, zemra e Dumanit vijoi të qëndrojë e fortë, duke kryer pa mëshirë dhe asnjë pendesë, një kasaphanë njerëzore në segmentin rrugor Durrës, Kavajës, Rrogozhinë, Peqin, Elbasan dhe qytete të tjera.
Aktualisht Nuredin Dumani është bashkëpuntori i SPAK, duke u akuzuar zyrtarisht për më shumë se 31 akuza të rënda, të kryera në 18 raste kriminale që janë dokumentuar nga SPAK deri në këtë fazë të hetimit.
“…Unë asnjëherë nuk kam qënë i punësuar, por i vetëpunësuar në tregtimin e fruta perimeve. Më pas pësova një aksident, ku u operova në zemër, thyeva dhe këmbën dhe e kisha të pamundur të punoja dhe hapa një dyqan për tregtimin e këpucëve të vjetra. Nga viti 2002 deri në vitin 2006 kam punuar në ndërtim. Nga viti 2006 - 2007 kam punuar në Greqi si punonjës shezlongesh në plazh. Në vitin 2008 kam ardhur në Shqipëri, pasi një ditë para se të kthehesha unë erdhi në jetë djali im i parë. Pasi u ktheve në Shqipëri në vitin 2008, unë bashkë me babain tim fillova tregtimin e fruta perimeve. Fillimisht blemë një furgon mallrash “Mercedes Benz” 308, ngjyrë e bardhë, prodhim i viteve 1992-1994. Produktet e fruta perimeve i blenim në tregun e Divjakës dhe më pas i tregtonim me shumicë në tregun e fruta perimeve në Durrës. Këtë punë e bëra deri në vitin 2009, kur unë u aksidentova me këtë furgon. Aksidenti ndodhi në rrugën Çermë - Divjakë, pasi unë e kisha shitur mallin që kisha blerë dhe u nisa për të marrë furnizimin për ditën tjetër dhe rrugës u përplasa me një autobus. Mbaj mend që ka qenë kohë drekë dhe Verë. Në atë kohë nuk isha i pajisur me patentë, por po prisa ta merrja pasi isha në proces të përfundimit të kursit…”-ka treguar në rrëfimin e tij Nuredin Dumani.
Më tej ai ka treguar se: “…nga ky aksident unë u dëmtova në këmbën e majtë të cilën e theva në tre vende (kofshë, kupën e gjurit dhe në shputën e këmbës). Për këtë dëmtim kam kryer dy ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Durrësit…”-tregon në dëshminë e tij Nuredin Dumani.
Mësohet se për këtë aksident Dumani është dënuar nga Gjykata e Lushnjës me 400 mijë lekë të vjetra për akuzën e “Drejtimit të mjetit pa patente”. Këtë gjobë të vendosur nga gjykata ai e ka paguar, në vijimësi nga lekët që merrte nga trajtimi me kemp.
Në momentin e aksidentit Dumani, ka qënë me një fqinjin e tij, Nderim Uka, i cili nga përplasja e mjeteve pësoi dëmtime në kokë dhe pas vzitave mjekësore edhe ai u trajtua financiarisht me kemp.
“…pasi unë iu nënshktrova ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ekzaminimeve mjekësore nga ky aksident, mjekët zbuluan se kisha probleme edhe me zemrën. Kjo pasi kisha bllokim dhe zgjerim të aortës. Për këtë i jam nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në QSUT, Tiranë nga doktori A. R. Pas operacionit të pare, fillova të trjatohesha me ilaçe sipas këshillës së mjekut, me të cilin pas çdo kontrolli 6 mujor konsultohesha me mjeken E.B. Për këtë unë jam trajtuar me kemp nga viti 2010 deri në vitin 2014, ku për arsyen se isha në burg nuk munda të isha prezent në komisionin e vlerësimit…”-tregon Nuredin Dumani.
Por pavërësisht ndërhyrjes dhe kurimit problemet me zemrën vijuan dhe në vitin 2018 kohë kur ai ndodhej në burgun e Bordosë të Francës.
“…në spitalin e Bordosë iu nënshtrova një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në zemër duke më bërë transplant aorte…”- ka rëfyer në SPAK, Nuredin Dumani./dritare.net

















