Kush është demokrati 34-vjeçar që bëri histori në New York!
Dritare.net

Zohran Mamdani, një socialist demokrat 34-vjeçar, ka fituar zgjedhjet për kryetar bashkie të Nju Jorkut, sipas projeksioneve të CNN. Fitorja e tij shënon një fitore të madhe për krahun progresist të Partisë Demokratike dhe një humbje të dytë për ish-guvernatorin Andrew Cuomo, të cilin Mamdani e mposhti fillimisht në zgjedhjet paraprake të qershorit. Kandidati republikan Curtis Sliwa gjithashtu mori pjesë në garë, pavarësisht presionit për t’u tërhequr.
Në fjalimin e fitores në Brooklyn, Mamdani tha se punëtorët e zakonshëm të qytetit “më në fund kanë arritur të marrin pushtetin në duart e tyre”, duke e cilësuar rezultatin si fundin e “një dinastie politike”. Ai premtoi se do të krijojë një epokë të re politike që vë në qendër klasën punëtore.
Mamdani, i lindur në Ugandë dhe rritur pjesërisht në Afrikën e Jugut, u zhvendos në Nju Jork në moshën 7-vjeçare. Ai është bir i akademikut Mahmood Mamdani dhe regjisores indiane Mira Nair. Para se të hynte në politikë, punoi si këshilltar për banesa dhe kishte një karrierë të shkurtër si reper me emrin “Mr. Cardamom”.
Fushata e tij u dallua për përdorimin e gjuhëve të ndryshme dhe komunikimin direkt me votuesit, përfshirë ata që dikur kishin mbështetur Donald Trump. Ai fitoi popullaritet me mesazhin për përballueshmërinë e jetesës, duke propozuar ngrirjen e qirave për apartamentet e stabilizuara, transport publik falas dhe kujdes fëmijësh universal përmes taksimit të të pasurve.
Gjatë fushatës, Mamdani u përball me kritika për qëndrimet e tij të kaluara ndaj policisë dhe mbështetjen për të drejtat e palestinezëve, por ai u përpoq të zbusë retorikën dhe të arrijë tek komunitetet hebreje dhe të tjera të qytetit.
Fitorja e tij është historike: ai do të jetë kryetari i parë mysliman dhe i pari me origjinë nga Azia Jugore në historinë e Nju Jorkut, si dhe një nga më të rinjtë që kanë mbajtur këtë post. Ai pritet të marrë detyrën më 1 janar 2026 dhe do të udhëheqë një qytet me 8.5 milionë banorë dhe një buxhet prej 115 miliardë dollarësh.

Mamdani është martuar kohët e fundit me artistën siriano-amerikane Rama Duwaji, e cila do të bëhet zonja e parë më e re në historinë e qytetit./L.F-dritare.net