Na ndiqni edhe në

Opinione

Përsiatje për hapësirën arsimore Shqipëri- Kosovë

Përsiatje për hapësirën arsimore Shqipëri- Kosovë

Nga Pëllumb Karameta

Po e nis nga fundi, mesa kam shkruar vitin që shkoi: “Sistemet tona arsimore e kanë përshkruar tashmë “kilometrin e parë”. Sipas studimit të ekipit të studiuesve shqiptarë e kosovarë, publikuar pak muaj më parë, tashmë, sistemet janë konsoliduar mirëfilli dhe po bashkëpunojnë, edhe pse disa zona të tyre u ngjajnë arkipelagëve arsimorë. Do donim më shumë, sigurisht, por kjo kushtëzohet nga kontekstet historike, shoqërore dhe politike të kohës së shkuar. Por dhe nga humoret, hatërmbetjet apo devijimet që kanë pështjelluar jo pak.

Tani, kur shoqëritë e dy vendeve tona po evoluojnë, kur synimet për arsim cilësor janë qartësuar mjaftueshëm, është koha të ecim më shpejt. Edhe pse dimë që nuk ka "përgjigje të lehta" apo “zgjidhje të gatshme”, për problemet që përballim. Pasi, mund të kemi ide, aftësi depërtuese, mendime të ndryshme dhe të orientohemi drejt, por asnjëherë nuk do dimë saktësisht si duhet të veprojmë. Ne mund ta kuptojmë udhën që po ndërtojmë, vetëm pasi të kemi shkelur mbi të. Sepse vlen më shumë ajo që mëson, pas asaj kur i di të gjitha.”

Po aty: “Në kontekstin historik, sistemet tona arsimore kanë funksionuar ndaras, bashkëpunimi ka qenë i kohëpaskohshëm dhe i ndikuar nga faktorët politikë. Lidhjet e para u vendosën në 1941, kur qindra mësues nga Shqipëria shkuan në Kosovë për të organizuar mësimin në shkollat e sapo hapura. Pas L2B, komunikimi u ndërpre, çka vazhdoi deri 1968. Në këtë vit, filloi bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës që rezultoi me shkëmbime të stafit akademik, deri në vitin 1981. Më pas, dekada e ndërprerjes së komunikimit.

Autoritetet e kohës vlerësuan bashkëpunimin në arsim faktor që krijonte ndjenja nacionaliste dhe irredentiste tek shqiptarët në ish-Jugosllavi. Në vitin 1992, filloi faza e re e bashkëpunimit. Shqipëria zgjodhi rrugën euro-atlantike, ndërsa Kosova krijoi sistemin paralel të arsimit, për t’i mbijetuar dhunës serbe. Përkundër shtypjes së egër që ushtrohej në Kosovë, në periudhën 1992-1999, u publikuan disa tekste shkollore, u punua për harmonizimin e programeve mësimore dhe u rivendos bashkëpunimi akademik në sektorin e Arsimit të Lartë (AL). Prej vitit 1999, kur përfundoi lufta me Serbinë, bashkëpunimi mes institucioneve arsimore nis të përmirësohet, pa formalizëm të tepruar, por dhe pa pritshmëri të larta.”

Shumë më herët, bash, në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë, në Bashkinë e Shkodrës, isha pjesë e ekipit që zhvilloi disa seanca trajnimi me mësuesit kosovarë, të strehuar nëkampingun e ngritur me ndihmën e Austrisë, Karitasit dhe Kryqit të Kuq. Çka me vjen në mendje, janëfytyrat e qeta dhe vështrimet e perënduar, por tejet miqësorë të mësuesve dhe mësuesve, nga zona të ndryshme të Kosovës. Nga bisedat me ta, kuptova mjaft dallime në kuptime pedagogjike dhe dokumentacionin shkollor. Komunikim qe i shkurtër, pasi lufta përfundoi dhe miqtë e mi të parë nga Kosova, u kthyen në vatrat e tyre.

Kohë më pas, në dhjetor të vitit 2001, si pjesë e ekipit të Institutit të Studimeve Pedagogjike, pata rastin të takoja dhe këmbeja ide me ekspertët e “Qendrës Arsimore të Kosovës”. Qendra ishte dhe është organizatë lokale jo-qeveritare dhe jopërfituese,e themeluar në vitin 2000 dhe, tashmë, me ekspertizë brilante në arsim. Veçmas, vizituam mjaft qytete dhe vende interesante, nga Prizreni në Mitrovicë. U kthyem dhe mora me vete disa libra interesantë profesionalë, të përshtatur apo përkthyer nga specialistët e Qendrës.

Qenë këto mbresa të para, një nga arsyet që mbajtën gjallë interesin tim për zhvillimet në arsimin kosovar. Dhe më nxitën të konsultoj në vijimësi dokumentet që publikoheshin në Internet nga Ministria e Arsimit e Kosovë. Interesi në këtë fushë bëri që, në vitin 2010, të njihem me dokumentet e Reformës kurrikulare qëfilloi të realizohej atje. Korniza Kurrikula dhe Kurrikulat Bërthamë qenë dokumenta që, jo vetëm artikulonin risi fantastike në linjë me tendencat evropiane në fushën e arsimit, por dallonin rrënjësisht nga dokumentacioni kurrikular që po përgatitejte ne.

Ky shpërpjesëtim më shtyu të botoj një varg shkrimesh në vitet 2010-2013, për të tërhequr vëmendjen dhe nxitur hartuesit tanë të studionin dhe përafronin dokumentat kurrikularë që po përgatitnin, me të ngjashmit emiratuar në Kosovë. Për të ilustruar idenë, kujtoj dy raste. I pari, për strukturën e sistemit arsimor shqiptar 6-3-3, miratuar nga shumicademokrate, me ligjinarsimor të vitit 2012. Sakaq, struktura e arsimit kosovar ishte përcaktuar 5-4-3.Rasti i dytë u përket qëllimeve arsimore. Në Kosovë, pas përfundimit të shkollës së mesme, nxënësit pritej të aftësoheshin të ndërtonin dhe përdornin njohuri të reja dhe kompetenca, të nevojshme për veten dhe shoqërinë. Në Shqipëri, përkundrazi, projektohej formimi i nxënësve të aftë të përvetësonin sa më mirë dije lëndore.

Kjo mospërputhje u korrigjua pak më vonë, me politikën e re arsimore të shumicës socialiste, në themelin e të cilës ishte unifikimi i sistemeve arsimore, në aspektet strukturore (strukturë e njësuar 5-4-3) dhe ato kurrikulare (qëllime arsimore dhe mjete kurrikulare të njëjta për arritjen e tyre). Specialistët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit përshtatën dokumentat themelorë kurrikularë dhe një proces i frytshëm komunikimi në nivel ministrish dhe agjencish vartëse u ndërmor pas viteve 2013. Tregues i këtijbashkëpunimijanë6 marrëveshje ndërshtetërore (prej të cilave, 5 nga Qeveritë socialiste) dhe disa marrëveshje mes institucioneve të Arsimit të Lartë.

Në këtë trend, në vitin 2020, disa studiues të Shqipërisë dhe Kosovës, përgatitën bashkërisht një studim me titull “Udhërrëfyesi Bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë në sektorin e arsimit”, i cili informoi për marrëveshjet ndërshtetërore dhe 1 protokoll shkencor – teknologjik; për 34 marrëveshje ndërinstitucionale të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë publik, gjatë 10 viteve të fundit; informoi për nivelin e zbatimit të secilës prej tyre; ofroi objektiva konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit dhe i konkretizoi ato me një plani veprimi që besohet se i shërben përmirësimit të cilësisë së arritjeve të nxënësve dhe të studentëve, në të dy shtetet tona.

Ndërkaq, edhe pse të dhëna për përmasat e bashkëpunimit në sektorin e arsimit deri në vitin 2020, mund të ishin më të domethënëse, në të dy anët e kufirit u shpreh vullneti dhe bindja se kapacitetet, hapësirat dhe mundësitë mund të shfrytëzohen më mirë. E që ky proces të ndihmohet, do duhen riorganizuar shumë elementë. Fillimisht, duke ripërcaktuar qartë qëllimet e reja të përbashkëta arsimore, përparësitë dhe strategjitë gjegjëse.

Çka kërkon përpjekje për ndërtimin e besimit të ndërsjellë, vizion imponues për arsimin kombëtar, të komunikuar me pasion,si dhe financime për veprimtari në të gjitha nivelet arsimore. Objektivat dhe veprimtaritë pritet të prodhojnë rezultate ndërveprimi, disa syresh të unifikuar, të tjerët komplementarë. Tek të parat, përfshihen tekste shkollore të njësuara për fushat e identitetit kombëtar (lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe, historia e popullit shqiptar etj.). Këtyre mund t’u shtohen librat për lexime, përmbledhje detyrash, fjalorë, platforma online në shqip, burime dhe mjete elektronike etj. Me vlerë çmohet edhe bashkëpunimi profesional i “Qendrës së Shërbimeve Arsimore” në Shqipëri me “Njësinë për Vlerësim dhe Standarde të Kosovës”, për testimet kombëtare në arsimin parauniversitar etj.

Ne që hartuam “Udhërrëfyesin”, besojmëfort dhe do vijojmë të besojmëte bashkëpunimi e ndërveprimi në sektorin e arsimit. Edhe pse e dimë që nuk ka "përgjigje të lehta", apo “zgjidhje të gatshme”. Përmirësimi kolektiv i koncepteve dhe praktikave, përgatitja e modeleve, testimi dhe rindërtimi i ideve përmes bashkëpunimit, janë aftësi kryesore të "shekullit XXI", jo vetëm për të rinjtë, por edhe për edukatorët, drejtuesit dhe vendimmarrësit. Në këtë sfond, ne vlerësojmë që, një “mjet” i besueshëm shkencërisht, i mundshëm për t’u zbatuar praktikisht dhe i dëshirueshëm nga shoqëritë tona, është ndërveprimi ndërshtetëror dhe ai mes institucioneve arsimore.

Dëshirojmë të ripohojmë sërish se, tani, në të dy anët e kufirit, më shumë se asnjëherë tjetër, është koha të reflektohet mbi kohën e humbur në këto vite lirie dhe të investohet edhe për një treg arsimor të përafruar, të integruara, me qasje të njëjta sektoriale ndaj asaj që duhet të nxënë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në shkolla / universitete. Që - sikundër kam thënë më herët - të formohen si qytetarë të denjë në realitetin e nesërm evropian, jo qytetarë të dorës së dytë; apo më keq akoma, çirakë me njohuri e kompetenca gjysmake./M.T/dritare.net