
Nga Vasil Merko
Ngjarjet e fundit në Zvernec kanë rikthyer në qendër të debatit publik një parim themelor të demokracisë: të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Përballë tij dhunën e pajustifikuar nga aktore të dyshimtë kundër protestuesve dhe kauzës të protestës. Në një shoqëri të lirë, çdo qytetar ka të drejtë të shprehë kundërshtimin ndaj projekteve, politikave apo vendimeve që ai i konsideron të dëmshme për vendin e tij. Kjo e drejtë duhet respektuar dhe garantuar pa asnjë më të voglin ngurrim. Po aq e rëndësishme është edhe të theksohet se dhuna, përplasjet fizike, kërcënimet janë të papranueshme sidomos kur ato shkaktohen nga polici private. Debati demokratik zhvillohet me argumente, jo me dhunë. Policia e shtetit duhet të ishte e pranishme atje dhe jo ndjekëse ose shikuese e ngjarjeve.
Megjithatë, ajo që ka ngjallur pikëpyetje të shumta në opinionin publik nuk është vetëm protesta në vetvete, por mënyra se si ajo është shoqëruar me përdorimin e një shtetësie të huaj dhe me përfshirjen e menjëhershme të autoriteteve politike dhe diplomatike greke. Kjo ka krijuar konfuzion mbi natyrën reale të protestës dhe interesat që ajo përfaqëson.
Kur një person që është lindur, rritur dhe jeton në Shqipëri zgjedh të përdorë një pasaportë të huaj për të ushtruar trysni mbi institucionet shqiptare, debati largohet nga thelbi i çështjes. Në vend që vëmendja të përqendrohet tek argumentet për ose kundër një projekti të caktuar, fokusi zhvendoset tek shtetësia, tek ndërhyrjet e jashtme dhe tek pyetja legjitime se kujt interesi po i shërbehet në të vërtetë. Edhe më shqetësues është fakti se një ngjarje vendore në territorin shqiptar u shndërrua me shpejtësi në objekt deklaratash politike, reagimesh diplomatike dhe fushatash mediatike në Greqi. Një pjesë e madhe e klasës politike greke, nga e majta tek e djathta , u rreshtua menjëherë në një narrativë të vetme, ndërsa media të ndryshme greke i dhanë ngjarjes një dimension krejtësisht tjetër nga ai që kishte në realitet. Kjo sjellje është jo vetëm e habitshme, por edhe thellësisht e papërshtatshme për marrëdhëniet mes dy shteteve që pretendojnë të ndërtojnë fqinjësi të mirë dhe respekt reciprok. Është e vështirë të përfytyrohet që Shqipëria të ndërhynte me të njëjtën intensitet në një çështje të brendshme vendore në Greqi, duke mobilizuar politikën, diplomacinë dhe mediat e saj. Për këtë arsye, shumë shqiptarë e kanë perceptuar këtë reagim si një përpjekje për të ushtruar presion politik ndaj shtetit shqiptar dhe jo si një interesim i sinqertë për të drejtat e një individi. Edhe më problematike është prirja për të krijuar çështje që realisht nuk ekzistojnë. Shqipëria nuk ka përplasje etnike në Zvernec. Nuk kemi të bëjmë me një përplasje mes komunitetesh apo me mohimin e të drejtave themelore të askujt. Kemi të bëjmë me një debat lokal, i cili përmes ndërhyrjeve politike dhe mediatike është tentuar të marrë një karakter krejt tjetër.
Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë e konsiderojnë përdorimin e një shtetësie të huaj në këtë mënyrë si një akt që krijon ndjesi të fortë zhgënjimi dhe tradhtie. Askush nuk mund të kritikohet pse zotëron një shtetësi të dytë; kjo është një e drejtë vetjake dhe e ligjshme. Por kur ajo shtetësi përdoret si mjet për të ndërkombëtarizuar artificialisht çështje të brendshme shqiptare dhe për të kërkuar trysni nga një shtet tjetër mbi Shqipërinë, lind natyrshëm reagimi se interesi kombëtar po vihet në plan të dytë. Shqipëria ka nevojë për qytetarë aktivë, për protesta, për debat dhe për kritikë. Demokracia nuk mund të funksionojë pa to. Por Shqipëria ka nevojë po aq për përgjegjësi qytetare, për respekt ndaj sovranitetit të vendit dhe për ndarjen e qartë mes aktivizmit qytetar dhe instrumentalizimit politik nga faktorë të jashtëm.
Ngjarjet e Zvernecit duhet të shërbejnë si një kujtesë se protestat fitojnë legjitimitet nga argumentet dhe mbështetja qytetare, jo nga ndërhyrjet diplomatike apo mediatike të shteteve të tjera. Debati duhet të mbetet shqiptar, të zhvillohet brenda institucioneve shqiptare dhe të zgjidhet sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Vetëm kështu mbrohet njëkohësisht demokracia, e drejta për protestë dhe dinjiteti i shtetit shqiptar. Një dinjitet që shpesh është nepërkëmbur, shtypur dhe perbuzur si askush tjetër nga të gjithë ata që tani na tundin gishtin për të na kujtuar mbrojtje dinjitetesh dhe të drejtash të njeriut dhe të pakicave./dritare.net