PS mblidhet të shtunën në Pallatin e Brigadave, fokus integrimi në BE dhe investimi në Zvërnec
Dritare.net

Partia Socialiste do të zhvillojë këtë të shtunë, në orën 10:00, mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e deputetëve dhe ministrave të qeverisë. Takimi do të drejtohet nga kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, ndërsa fjalën kryesore pritet ta mbajë kryetari i PS-së, Edi Rama.
Në qendër të diskutimeve do të jenë ecuria e procesit të integrimit europian, negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe paketa e ligjeve që lidhen me këtë proces. Një tjetër çështje që pritet të marrë vëmendje të veçantë është investimi i planifikuar në Zvërnec dhe interesi i shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit, temë që ka ngjallur debat publik, protesta dhe reagime edhe në nivel ndërkombëtar.
Gjatë mbledhjes do të prezantohen gjithashtu informacione mbi ecurinë e Reformës Administrative Territoriale, si dhe mbi zbatimin e detyrave të lëna nga mbledhja e mëparshme dhe performancën e anëtarëve të grupit parlamentar socialist. Deputetët do të kenë në dispozicion deri në dy minuta për pyetje, diskutime dhe raportime për secilën nga temat e rendit të ditës.
Me interes priten edhe qëndrimet që mund të mbahen lidhur me rastin e deputetes Marjana Koçeku, e cila është larguar nga grupi parlamentar socialist. Deri më tani, kryeministri Rama nuk ka bërë një reagim publik për këtë çështje.
Mbledhje të tilla zhvillohen çdo muaj nga socialistët në kuadër të koordinimit të axhendës parlamentare, reformave të kërkuara nga procesi i integrimit europian dhe prioriteteve të qeverisjes. Në përfundim të takimit, parashikohen konkluzionet dhe fjalët përmbyllëse të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla./L.F-dritare.net