Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sezoni turistik 2026, Policia shton masat e sigurisë: Monitorim me dronë dhe kontrolle 24/7 në bregdet

Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026, me fokus të veçantë te siguria detare dhe rritja e pranisë policore në zonat bregdetare.

Gjatë prezantimit në Durrës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda Hita, bëri të ditur se këtë sezon monitorimi i vijës bregdetare do të mbështetet edhe nga dronët, ndërsa mjetet lundruese që u përkasin shtetasve të huaj do të verifikohen në kohë reale përmes sistemit TIMS.

Sipas tij, Njësia Policore Detare do të jetë në gatishmëri të plotë 24 orë në 24, e pajisur me rreth 35 motorë uji dhe personel të trajnuar, ndërsa patrullimet do të zhvillohen përgjatë gjithë vijës bregdetare. Paralelisht, do të vijojë edhe patrullimi me biçikleta në shëtitore dhe zonat turistike, me synim rritjen e kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe pushuesit.

Kryepolici theksoi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje nga drejtuesit e mjeteve lundruese që cenojnë sigurinë e pushuesve, ndërsa u bëri thirrje efektivëve të tregojnë vigjilencë, etikë dhe humanizëm në përmbushjen e detyrës.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, e cilësoi sezonin turistik si provën më të madhe për Policinë e Shtetit, duke nënvizuar se institucionet kanë marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë muajve me fluks të lartë vizitorësh.

Ai theksoi se puna e policisë matet me jetët e shpëtuara, rendin e garantuar dhe besimin e qytetarëve, ndërsa shprehu objektivin që sezoni turistik 2026 të jetë më i sigurti që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë të sigurt dhe pozitive./l.f-dritare.net