64 studentë të helmuar në Akademinë e Sigurisë. Në hetim kompania SORI-AL dhe AKU
Dritare.net

Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në institucion. Pas 60 kursantëve që u paraqitën fillimisht me simptoma të helmimit, edhe katër studentë të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë pasdites së djeshme, duke shfaqur të njëjtat shqetësime.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dosja e këtij rasti pritet të bashkohet me procedimin penal të nisur pas helmimit të parë të studentëve, të regjistruar në fillim të muajit maj.
Hetimet nuk janë përqendruar vetëm te kompania SORI-AL, e cila furnizon Akademinë e Sigurisë me ushqim përmes shërbimit të kateringut, por janë shtrirë edhe ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Sipas burimeve, po verifikohet nëse AKU ka kryer kontrolle të reja në ambientet e kompanisë gjatë dy muajve të fundit, pas rikthimit të aktivitetit të saj në Akademi.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë SORI-AL, Alma Tafani, e cila prej rastit të parë të helmimit po hetohet në gjendje të lirë.
Grupi hetimor është gjithashtu në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të mostrave të ushqimit të marra nga AKU, të cilat pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të helmimit të 64 studentëve./L.F-dritare.net