
India miraton për përdorim vaksinën e parë ADN në botë!
Dritare.net
Rregullatori i Ilaçeve në Indi ka miratuar vaksinën e parë të ADN-së në botë kundër Covid-19 për përdorim urgjent. Vaksina me tri doza ZyCoV-D parandaloi të sëmurit me simptoma te 66% e atyre që e bënë vaksinën. Kjo sipas një studimi të përkohshëm të cituar nga prodhuesi i vaksinave Cadila Healthcare.
Vaksinat e mëparshme të ADN-së kanë funksionuar mirë te kafshët, por jo te njerëzit.
India deri më tani ka bërë më shumë se 570 milionë doza të tri vaksinave të miratuara më parë: Covishield, Covaxin dhe Sputnik V. Rreth 13% e të rriturve janë vaksinuar plotësisht dhe 47% kanë marrë të paktën një dozë që nga fillimi i procesit të vaksinimit në janar.
Cadila Healthcare tha se kishte kryer provën më të madhe klinike për vaksinën në Indi deri më tani, duke përfshirë 28,000 vullnetarë në më shumë se 50 qendra. Kjo është gjithashtu hera e parë, sipas kompanisë që një vaksinë kundër Covid-19 ishte testuar tek të rinjtë në Indi. 1.000 njerëz i përkisnin grupmoshës 12-18 vjeç. Vaksina doli të ishte "e sigurt dhe tolerohet shumë mirë" te kjo grupmoshë.
Faza e tretë dhe kryesorja e provave klinike u krye në kulmin e valës së dytë vdekjeprurëse të virusit. Prodhuesi i vaksinave beson se kjo vaksinë ishte efektive edhe kundër varianteve, veçanërisht atij Delta që po bën namin në të gjithë botën.
Si funksionon kjo vaksinë?
ADN-ja dhe ARN-ja janë blloqet e ndërtimit të jetës. Ato janë molekula që bartin atë informacion gjenetik, i cili transmetohet nga prindërit te fëmijët. Ashtu si vaksinat e tjera, një vaksinë e ADN-së, pasi administrohet, mëson sistemin imunitar të trupit të luftojë virusin e vërtetë.
ZyCoV-D përdor plazmidet ose unazat e vogla të ADN-së, që përmbajnë informacion gjenetik, për të bërë vaksinën mes dy shtresave të lëkurës. Plazmidet bartin informacion në qeliza për të bërë proteinën Spike, të cilën virusi e përdor për t’u kapur dhe futur në qelizat njerëzore.
Shumica e vaksinave kundër Covid-19 funksionojnë duke i dhënë trupit udhëzime për të bërë një fragment të proteinës Spike, kështu që mund të nxisë sistemin imunitar të një personi të prodhojë antitrupa dhe të mësojë veten të luftojë virusin./K.C/dritare.net

















