Gjyshër, na i doni nënat, jo vetëm nipat!
Dritare.net
Nga Malvina Tare
Nuk i mban dot lotët përpara një historie jete, si ajo e Amarit, i cili u “rrëmbye” nga gjyshërit.
Gjyshërit ende pa shëruar dhembjen e të birit, që kishte humbur jetën, nuk e përtypën dot largimin e nuses dhe nipit të tyre të vogël as 3 vjeç.
Po kush e përtyp kollaj ndarjen në 100 copa të shtëpisë së djalit 35-vjeçar, të ndarë nga jeta papritur e aksidentalisht?!
Prindërit ëndërrojnë nipër e mbesa, e nusen e djalin e tyre me të mirë e me të keq deri në fund të jetës. Por, nusja u kthye pas, u kthye në shtëpinë e lindjes.
Dhe ç’të gjykojmë e të themi këtu? A themi dot ne të tjerat se mund t’ja dalim pa prindërit pas?
Po ku gjen gjyshër si tek ne? Askund. Gjyshërit shqiptarë s’ka asnjë dyshim që janë më të mirët në botë.
Janë gjyshër të varfër që të lenë një zemër të mbushur plot pasuri, janë gjyshër që sakrifikojnë jetën dhe çdo gram të pleqërisë së tyre për t’u gjendur te nipi e te mbesa.
Ama kjo dashuri e madhe nuk e justifikon rrëmbimin, nuk e justifikon dhimbjen që i shkaktuan nënës së mbetur vetëm pa bashkëshort, nuk e justifikon dhimbjen e tyre ky veprim i fshehjes së të vetmit nip nga djali i tyre i ndjerë.
Një histori e trishtë, një histori shqiptare deri në rrëqethje.
Kur gjyshërit dalin përpara prindit, e aq më tepër nuses, kur gjyshërit nga ana e djalit duan çdo kompetencë mbi nipin a mbesën, përpara dhe asaj që i ka sjellë në jetë.
Gjyshër, që na doni deri në marrëzi. Na i doni edhe nënat.
Gjyshër që na e kuptoni dhimbjen, qajani pak hallin edhe nënave që na rritin, e që na duan edhe kur dhunohen, edhe kur braktisen, edhe kur mbeten të veja se kështu e ka shkruar fati.
Gjyshër na i doni nënat që u mbetet “barra” e madhe të nxjerrin në jetë fëmijët vetëm, pa bashkëshortët.
Gjyshër na i doni nënat!/dritare.net