Pse dështoi Besa Kokëdhima në Eurovizion!
Dritare.net
Nga Mariana Bellew
Reflektim i këngës “Titan” Eurovizion 2024. Është hera e parë që e dëgjoj këngëtaren Besa Kokëdhima dhe megjithëse kënga i drejtohet një audience të gjerë mund të them që ekipi i Besës në qoftë se cilësohen profesionistë dhe jo të vetëquhen si të tillë, duhet t’i kishin kushtuar shumë vëmendje teknikës muzikore që kënga kishte aq shumë nevojë. Këngëtarja e fillon këngën me një diksion jo të qartë duke patur luhatje të tonit në fjalët “survive”. Më tej kënga vazhdon me fjalët që rimojnë si “survive” apo “alive”, ku shfaqet dukshëm e kënduara e dinamikës “Forte” duke mos i tërhequr këto fundore të ngjashme në dinamiken “Piano” që janë të domosdoshme në mbarime të tilla. Melodia e këngës së bashku me tekstin përcjellin një frymë të fuqishme, por përpjekja e tonizimit të fjalëve në gjuhën angleze dhe rrëshqitja e frazave pa i qëndruar vijës melodike, krijon që zëri të dëgjohet ashpër në ndryshimin e ngjyrës së zanoreve. Nga gjysma e këngës shihet një përpjekje për një paraqitje më të mirë të këngës, por që nuk vazhdon deri në fund. Notat e mbajtura në zgjatjen e zanores “o” me fjalën “shot” nuk pasqyruan legaton e vijës melodike në një mënyrë të hapur, por vetëm treguan ngritjen dhe uljen lart e poshtë me hapa të vijës melodike duke mos e suportuar këtë zanore me diafragmën, treguan gjithashtu një ngushtim të kordave vokale pa e lënë të lirshme këtë zanore. Duke shkuar më tej, veshja e këngëtares me shallin në gjysmën e kokës, zbulimi i bustit femëror, makijazhi i rëndë i syve apo lëvizjet e pakta skenike të duarve të kujtonin kërcimtarët e valles së belit duke rënë në kundërshtim me tekstin kurajoz dhe melodinë energjike të këngës. Ndjenja e shpresës se do të dëgjosh një kulminacion të këngës në zhvillim shuhet në momentet kur zëri i këngëtares mbulohet nga instrumentet dhe vallëzimi i kërcimtarëve që së bashku me dritat e minimizuan këngëtaren.
Në përgjithësi kënga ka një kompozim dhe tekst të mirë, por në qoftë se kjo këngë ishte parë në kujdesin e të gjitha detajeve teknike muzikore, atëherë kënga mund të veçohej midis të tjerave sepse kishte një repeticion të melodisë dhe një tekst jo të vështirë. Pa dyshim vitet e pjesëmarrjes së ekipit shqiptar në Eurovizion janë një eksperiencë e madhe që duhet të shërbejë në mënyrën më të mirë mësimore për një zgjedhje të kujdesshme të këngëve dhe këngëtarëve, për një paraqitje sa me dinjitoze të bukurisë së muzikës shqiptare pa huazime duke mos harruar që këngëtarin nuk e veçon regjistri i madh apo i vogël i zërit, nuk e veçon shtyrja e zërit që të dëgjohesh sa më shumë, por e veçon mënyra e mendimit dhe trajtimit të këngës që do të këndojë, aftësia për ta përçuar te dëgjuesit e shumtë dhe të shumëllojshëm./dritare.net