Nga Akademia e Filmit në New York te 'Misioni' me William Baldwin, suksesi i Andi Delianës!
Dritare.net

Regjisori dhe producenti Andi Deliana ndan historinë e tij të emigrimit, një udhëtim që filloi në Shqipërinë post-komuniste të viteve '90. I shtyrë nga një dëshirë e hershme për t'u larguar, që daton që nga fëmijëria, Deliana tregon se si fati e çoi fillimisht në Francë përmes një programi shkëmbimi studentor.
"Unë faktikisht e kisha menduar që drejtimi do ishte drejt Italisë," pranon ai, duke shtuar se planet i kishte bërë familja shumë më herët. Përvoja në Francë ishte vendimtare. Ai u prit nga një familje franceze që e mbështeti jashtëzakonisht shumë, duke i kursyer vështirësitë ekonomike dhe luftën për ekzistencë që shumë emigrantë të tjerë përjetuan. "Ata më dhanë atë hapin e parë, që është shumë i vështirë," kujton Deliana.
Pas disa vitesh në Francë, ngjarjet e trazuara të vitit 1997 në Shqipëri e bindën të mos kthehej më. Ai aplikoi dhe u pranua si rezident i rregullt në Kanada. Atje përfundoi studimet dhe mori pasaportën kanadeze, e cila i hapi dyert për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej më shumë se 20 vitesh, Andi Deliana jeton dhe punon në New York, ku është bërë një figurë e suksesshme në botën e filmit.
"Kam mbi 20 vjet që jetoj në New York... dhe them që më ka ecur mirë," thekson.
Deliana ka ndërtuar një karrierë të gjithanshme në botën e filmit, jo vetëm si skenarist, regjisor e producent, por edhe si edukator i brezit të ri të kineastëve. Për rreth nëntë vite, ai ka qenë pedagog në prestigjiozen "New York Film Academy", një institucion i njohur globalisht.
"Më ka qenë një kënaqësi të merrem me atë që kam dashur dhe të arrij diçka," shprehet ai. Projekti i tij më i fundit, një film independent me titullin shqip "Misioni" (My Mother is a Cosmonaut), dëshmon ambicien dhe rrjetin e tij ndërkombëtar. Si regjisor, skenarist dhe producent i filmit, Deliana ka mbledhur një kast mbresëlënës, ku spikasin ylli i Hollivudit, William Baldwin, dhe aktorja e njohur spanjolle, Natalia Sanchez. Filmi, i xhiruar kryesisht në Shqipëri por edhe në New York dhe Bullgari, tregon historinë e një gruaje që kthehet në atdhe për të organizuar një funeral shtetëror për nënën e saj, duke zbuluar sekrete dhe intriga gjatë rrugës.
Bashkëpunimi me studiot bullgare "Boyana", të njohura për punën në filma si "The Expendables" dhe "Rambo", si dhe me "Paval Dimitri Production" në Shqipëri, tregon për shkallën e lartë të këtij produksioni. Aktualisht, filmi ka përfunduar dhe po përgatitet për xhiron e festivaleve ndërkombëtare, me synim distribucionin fillimisht në kinematë e Europës Perëndimore, si Franca, Gjermania dhe Spanja/dritare.net
