Të dyja vendet njësoj të rrezikuara, por pse Holanda nuk përmbytet si Shqipëria? Ja çfarë thotë inxhinieri!
Dritare.net

I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, inxhinieri hidroteknik Dhimitër Vogli bëri një krahasim midis Shqipërisë dhe Holandës, dy vende që ndajnë rreziqe të ngjashme gjeografike, por kanë qasje diametralisht të kundërta ndaj menaxhimit të ujit.
Ndërsa Holanda, e cila ka një pjesë të madhe të territorit nën nivelin e detit, ka investuar prej shekujsh në dije dhe infrastrukturë, duke filluar nga mullinjtë e erës në vitet 1600 e deri tek institutet moderne kërkimore, Shqipëria duket se ka bërë hapa prapa, duke lënë pas dore një traditë të mirë-krijuar para viteve '90.
"Holanda sot ka institutin që menaxhon kullimin dhe ujitjen për gjithë Evropën. Ata e kuptuan herët që lufta me ujin fitohet me mendje dhe teknologji, jo vetëm me thasë rëre në momentin e fundit," u shpreh Vogli. Sipas Voglit, i cili ka drejtuar për 15 vjet Institutin e Studimit dhe Projektimit të Veprave të Bonifikimit, institucionet shqiptare, përfshirë Akademinë e Shkencave, aktualisht nuk kanë asnjë fokus real te bonifikimi apo hidroteknika, duke e lënë vendin të ekspozuar ndaj sfidave të reja klimatike./dritare.net
