SPAK godet grupin e vëllezërve Koçeku, sekuestrohen mbi 128 milionë euro nga transaksionet e tokave në Zvërnec
Dritare.net

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash, i cili dyshohet se vepronte kryesisht në zonën e Kamzës dhe kishte lidhje me investime të mëdha në sektorin e ndërtimit dhe pronave.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se drejtohej nga dy vëllezërit Abedin dhe Luçiano Koçeku. Hetimi ka nisur pas analizimit të përgjimeve të komunikimeve mes anëtarëve të grupit, të cilat kanë zbuluar skema të dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.
Në kuadër të operacionit, Gjykata ka vendosur sekuestrimin e mbi 128 milionë eurove, të lidhura me tre transaksione shitblerjeje toke në zonën e Zvërnecit, të kryera përmes një llogarie bankare në emër të noteres publike Amela Mukaj.
Sipas vendimit të datës 10 qershor, shumat e sekuestruara përfshijnë mbi 110 milionë euro nga një kontratë shitjeje mes Artur Shehut dhe shoqërisë “Albanian Land Development” sh.p.k., si dhe dy transaksione të tjera që kapin vlera mbi 10 milionë dhe 8 milionë euro, të lidhura me kontrata të ndryshme shitblerjeje toke në të njëjtën zonë.
Hetimet e SPAK sugjerojnë se këto fonde dyshohet të jenë përdorur si pjesë e skemave të pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti i trafikut të lëndëve narkotike.
Grupi kriminal dyshohet se ka investuar gjithashtu në sektorin e ndërtimit dhe energjisë. Luçiano Koçeku rezulton pronar i shoqërisë “G.A.V Invest”, e cila operon në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve turistike e tregtare.
Ai zotëron gjithashtu aksione në kompani të përfshira në projekte energjetike dhe hidrocentrale, përfshirë “Ballenja kompani”, e cila ka një koncesion 35-vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit “Ballenjë” në Bulqizë, si dhe pjesëmarrje në kompaninë “S G D Energji”, me aktivitet në prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike.
Sipas dosjes hetimore, përmes këtyre strukturave biznesi dyshohet se janë kanalizuar dhe qarkulluar shuma të mëdha parash me origjinë kriminale.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK nuk ka dhënë ende një deklaratë të plotë mbi përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë në këtë çështje./L.F-dritare.net