Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Matura/ Publikohen notat e gjuhës së huaj!

Ministria e Arsimit ka publikuar rezultatet e provimit të gjuhës së huaj për Maturën Shtetërore 2026, duke shënuar një nivel të lartë kalueshmërie mes maturantëve. Sipas të dhënave zyrtare, provimit iu nënshtruan 25,015 nxënës, ndërsa vetëm 367 prej tyre nuk arritën të kalonin testin. Kjo përkthehet në një përqindje kalueshmërie prej 98.53%.

Nga maturantët që morën pjesë në provim, 135 arritën të vlerësohen me notën maksimale 10. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë vihet re një rënie e numrit të ekselentëve. Në vitin 2025, notën maksimale e morën 216 maturantë, ndërsa 399 nxënës rezultuan mbetës.

Nota mesatare kombëtare në provimin e gjuhës së huaj për këtë vit është 7.6.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e maturantëve janë vlerësuar me nota nga 7.0 deri në 9.9. Grupin më të madh e përbëjnë nxënësit me nota nga 9.0 deri në 9.99, ku renditen 6,816 maturantë.

Ndërkohë, maturantët do të vijojnë me provimin e matematikës më 16 qershor, ndërsa testi i fundit, ai me zgjedhje, do të zhvillohet më 23 qershor./dritare.net