
Më 11 qershor 2026, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin me nr. akti 31001 00497 00 2026, të paraqitur nga kompania HORIZON sh.p.k. Çështja do të gjykohet nga një trupë e përbërë nga gjyqtarja Enkelejda Metaliaj në cilësinë e relatores, si dhe nga gjyqtarët Arbena Ahmeti dhe Gentian Medja.
Vëmendje të veçantë tërheq përfshirja në këtë trupë e gjyqtares Arbena Ahmeti. Sipas të dhënave publike, ajo ka shqyrtuar më herët edhe çështjen e njohur si dosja e “Byzylykëve”. Me vendimin nr. 00 2024 467, datë 13 shkurt 2024, gjykata kishte arritur në përfundimin se shteti duhej t’i paguante 1.5 milionë euro bashkimit të kompanive Fastech, Ratech dhe Soft & Solution, edhe pse byzylykët elektronikë nuk kishin funksionuar. Kompania Soft & Solution ka si pronar biznesmenin Ermal Beqiri.
Në këto rrethana, në sallën e Gjykatës së Lartë rikthehen sërish disa prej protagonistëve të dosjeve që kanë tërhequr vëmendjen publike: nga njëra anë Ermal Beqiri dhe nga ana tjetër një prej gjyqtareve që ka shqyrtuar më parë çështje ku ai ka pasur interes.
Objekt i rekursit është vendimi nr. 14, datë 19 shkurt 2026, i Gjykatës Administrative të Apelit. Me këtë vendim, gjykata u dha të drejtë operatorëve ekonomikë konkurrues që kishin ngritur padi dhe shfuqizoi vendimin nr. 1054 të Komisionit të Prokurimit Publik për tenderin “Përmirësim i sistemit të thesarit”.
Bëhet fjalë për një prokurim me fond limit mbi 750 milionë lekë pa TVSH, ku autoritet kontraktor ishte AKSHI. HORIZON kishte qenë pjesë e ofertës fituese, e vetmja e konsideruar e vlefshme, me një vlerë prej rreth 680 milionë lekësh. Sipas materialeve të dosjes së SPAK, pjesë të së cilës janë bërë publike në media, kjo ofertë dyshohet se ishte shoqëruar me veprime në kundërshtim me ligjin, përfshirë largimin e operatorëve konkurrues.
Aktualisht, HORIZON ndodhet nën sekuestro, pasi është përfshirë në hetimet e SPAK në kuadër të dosjes “AKSHI”. Sipas aktit të sekuestrimit, kompania dhe zotëruesi i saj paraqiten si pjesë e një mekanizmi që dyshohet se synonte kontrollin e procedurave të prokurimit pranë AKSHI-t për të siguruar përfitime materiale të paligjshme.
Figura qendrore e kësaj historie mbetet biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë HORIZON. Në dosjen e SPAK përmendet gjithashtu administratorja e kompanisë, të cilën prokuroria e konsideron person në varësi të Beqirit. Hetuesit dyshojnë se emri i saj është përdorur për regjistrimin e një jahti luksoz, i cili sipas SPAK kontrollohej në fakt nga vetë Beqiri. Edhe ky aset është vënë nën sekuestro.
Ndaj Ermal Beqirit rëndojnë akuza për konkurrencë të paligjshme me anë të dhunës, krijim të grupit të strukturuar kriminal, privim të paligjshëm të lirisë, kryerje veprash penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe korrupsion. Për akuzën e korrupsionit ndaj tij është caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”.
Prej kohësh, dosja “AKSHI” është paraqitur në debatin publik si një çështje e lidhur drejtpërdrejt me qeverinë dhe me mënyrën e administrimit të prokurimeve publike gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Megjithatë, një element tjetër ka tërhequr vëmendjen. Rekursi i paraqitur nga HORIZON në Gjykatën e Lartë është përgatitur nga studio ligjore “Halimi”, e cila mban firmën e një ish-ministri të Partisë Demokratike.
Ky fakt krijon një kontrast me narrativën e përhapur deri më tani në një pjesë të debatit publik. Nëse dosja “AKSHI” është paraqitur si simbol i një skeme të lidhur me qeverinë, lind pyetja se si mbrojtja ligjore e një prej personazheve kryesorë të saj është marrë përsipër nga studioja e një emri të njohur të opozitës.
Këto janë ceshtje që ngrihen në prag të shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë. Përgjigjen përfundimtare, megjithatë, pritet ta japë drejtësia, mbi bazën e provave dhe fakteve të dosjes./dritare.net