Kosova bën histori, siguron “play off”-in e Botërorit për herë të parë
Dritare.net

Kombëtarja e Kosovës ka shkruar një faqe të re në historinë e saj të futbollit, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën “play off” të Kampionatit Botëror. “Dardanët” triumfuan me rezultat 2-0 në transfertë ndaj Sllovenisë, një fitore që u dha vendin e dytë në grup me 10 pikë.
Fisnik Asllani zhbllokoi sfidën në pjesën e parë me një gol vendimtar, ndërsa pjesa e dytë vulosi fitoren pas një autogoli të skuadrës sllovene.
Kosova tashmë e ka të sigurt kualifikimin në fazën “play off”, pavarësisht se sfida e fundit kundër Zvicrës, lidere e grupit me 13 pikë, do të jetë më shumë treguese sesa vendimtare. Diferenca në golavarazh e vështirëson garën për vendin e parë, por objektivi kryesor është arritur.
Pas suksesit të Shqipërisë, edhe Kosova konfirmon pjesëmarrjen në këtë fazë vendimtare të Botërorit, duke dhënë sinjale të qarta se futbollli shqiptar po përjeton momentet më të mira në skenën ndërkombëtare./K.C/dritare.net