Na ndiqni edhe në

Sport

Ndeshja me Poloninë! Starova zbulon për DritareTv formulën e fitores!

Ndeshja me Poloninë! Starova zbulon për DritareTv formulën e

Gazetari Xhevdet Zekaj solli për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv një prononcim nga Sulejman Starova, në prag të ndeshjes vendimtare të Kombëtares shqiptare. Mes tensionit dhe pritshmërive të larta, Starova ndan analizën e tij për sfidën dhe zbulon pikat më të forta të kuqezinjve, duke shprehur besim se Shqipëria ka gjithçka për të arritur fitoren.

Me ëndrrën për një kualifikim historik në Botëror më pranë se kurrë, gjithçka duket gati për një përballje që mund të hyjë në histori shprehet Starova.

Duke e cilësuar këtë moment si “historik për futbollin shqiptar”, Starova thekson se lojtarët do të bëjnë të pamundurën për të realizuar objektivin e madh. Sipas tij, çelësi i suksesit qëndron në pikat e forta të ekipit. “Shpresojmë që t'ia dalin nëpërmjet karakteristikave të ekipit tonë, duke filluar nga kompaktësia si skuadër, edhe duke shfrytëzuar ato mundësitë tona të kundërsulmit të shpejtë për të goditur polakët,” u shpreh ai, duke zbuluar kështu strategjinë që mund t'i japë fitoren Shqipërisë. Ai shtoi se ekipi është i vetëdijshëm se përballë ka një kundërshtar të fortë, por kompaktësia e kuqezinjve mbetet një avantazh i çmuar.

I pyetur për një parashikim të mundshëm mbi formacionin, Starova tregoi profesionalizëm të lartë, duke refuzuar të komentojë zgjedhjet e trajnerit. Ai shprehu besim të palëkundur te puna e Sylvinhos dhe stafit të tij. “Çdo zgjedhje, vendimmarrje e Sylvinhos dhe stafit të tij, do jetë e pranueshme, sepse ata janë më afër skuadrës, kanë përgjegjësitë më të mëdha, i dinë anët pozitive e negative të lojtarëve,” deklaroi ai, duke theksuar se stafi teknik do të bëjë zgjedhjen më të mirë për këtë përballje historike.

Në analizën e tij, Starova nuk la pa përmendur edhe ecurinë e Kombëtares së Kosovës, duke e parë edhe për ta këtë si një moment historik. Sipas tij, të dyja skuadrat shqiptare janë kandidate për të shkuar në Botëror. Megjithatë, ai bëri një vlerësim interesant, duke e parë Kosovën “pak të favorizuar nga shorti”./E.P-dritare.net